Ilva Now

Petrit Vasili: Rilindja synon të rrëmbejë rregullat zgjedhore pasi ka frikë nga humbja

Përditësimi i fundit: 23/09/2020 - 19:55
Text size Aa Aa

Nënkryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Petrit Vasili ishte i ftuar në Ilva Now ku foli për fazën e fundit të reformës zgjedhore dhe qëndrimin e opozitës rreth amendamenteve të propozuara nga Partia Socialiste.

Vasili këmbënguli se opozita është parimore dhe e vendosur t'i shkojë deri në fund respektimit, siç tha ai, të marrëveshjeve të arritura më parë në Këshillin Poltiik, kjo me synimin për të përmbushur pritshmëritë e ndërkombëtarëve për arritjen e një reforme konsensuale dhe gjithpërfshirëse.

Përballë pyetjes se çfarë do të bëjë opozita pasi më 1 tetor shumica socialiste është zotuar t'i kalojë në mënyrë të njëanshme në parlament amendamentet e propozuara prej saj të Kodit Zgjedhor, Vasili u shpreh ashpër se kjo do të ishte e rëndë për fatet e integrimit të vendit.

“Më 1 tetor PS mbyll përfundimisht dyert e Evropës, merr përgjegjësinë më të rëndë të këtyre 30 viteve, sepse nuk ka ndodhur kurrë të kemi reformë jokonsensuale, Rilindja bie në konflikt ballazi me qytetarët pasi lufton të rrëmbejë rregullat e lojës dhe të bëjë rregulla për vete, ndërkohë që konsensualiteti janë aty të palëkundura,” – u shpreh Vasili duke shtuar se socialistët kanë frikë nga përballja në zgjedhje të rregullta.

Më tej Vasili refuzoi të komentojë qëndrimin e ministres së Drejtësisë Etilda Gjonaj mbajtur në Këshillin e Integrimit se “reforma zgjedhore është plotësuar” dhe votimi në 1 tetor “do të jetë plotësimi i saj”.

Nënkryetari i LSI-së tha se Gjonaj është ministre nën akuzë për falsifikime të rënda dhe thënë këtë iu rikthye deklaratave të mëhershme të Bundestagut Gjerman për gjithpërfshirje në reformën zgjedhore.

“Ne u ulëm në Këshillin Politik për arsye, sepse zgjedhjet e 30 qershorit ishin faturë shumë e rëndë... janë 3 kushte reforma zgjedhore, zbatimi i saj dhe hetimi elektoral... 14 janari hodhi bazat për konsensusin dhe marrëveshjen, sepse aty thuhej që në mungesë marrëveshjeje palët i drejtoheshin OSBE/ODIHR-it, si arbitri,” – tha Vasili, i cili këmbënguli se Këshilli u ngrit për faktin se “parlamenti u bë ilegjitim pas daljes së opozitës”.

Në lidhje me çështjen aktuale të letrës drejtuar ODIHR-it për të kërkuar opinion mbi amendamentet e PS-së, Vasili drejtoi pyetje retorike se “çfarë u shqetëson” dhe “pse të mos i drejtohen”.

I pyetur nëse opozita do t’i drejtohet ODIHR-it edhe pa qëndrimin e Partisë Socialiste, Vasili tha se “po”, por theksoi se opozita do ta presë.

 

Lexoni gjithashtu;

“Faktori ndërkombëtar po mban shënim”, Bylykbashi e thotë hapur: Edi Rama humbet më 25 prill

Gjiknuri: ODIHR-i s'jep opinione abstrakte, opozita të vinte me draft apo komente për propozimet tona

Deklarata e fortë e avokatit Saimir Vishaj: 167 persona të larguar nga vetingu po pastrojnë paratë me zyra avokatie

Tregime të lidhura