Ilva Now

Afrim Krasniqi: Listat e hapura mund të ishin propozuar që në janar, s'besoj se do të ketë kompromis

Përditësimi i fundit: 28/09/2020 - 20:09
Text size Aa Aa

Politologu Afrim Krasniqi, njëherësh drejtues i Institutit për Studime Politike e vlerësoi si pozitiv propozimin e bërë së fundmi nga opozita për sa i përket hapjes së listave të kandidatëve në zgjedhje, por theksoi se ai mund të ishte bërë shumë më parë, ndërkohë që aktualisht nuk ka mbështetje të shumicës dhe kjo i lë të mendojë se nuk do të ketë kompromis.

“Është zhvillim pozitiv i ditëve dhe i orëve të fundit, mund të ishte bërë që në janar kur u ngrit Këshilli Politik dhe ku dhjetëra zëra publik e kërkonin këtë gjë, dhe në këtë lloj këndvështrimi është pozitiv, por nuk na dërgon detyrimisht drejt një kompromisi politik, opozita duhet të kishte një draft për të shkuar te partnerët ndërkombëtar që ne mendojmë ndryshe nga mazhoranca por kemi dhe altenrativë dhe kjo është ajo, kështu bëhej dhe rrugëzgjidhje për debatin rreth ODIHR-it dhe heshtjen në raport me draftin e socialistëve,” – tha Krasniqi, i cili shtoi se së fundmi ka pasur presion nga ndërkombëtarët.

Krasniqi tha se hyrja e opozitës e sjell në një situatë të re zhvillimi pas momenteve të vështira që u panë nga sjellja e mazhorancës, por këmbënguli se nuk besonte se palët do të gjenin kompromis.

Në lidhje me koalicionet, Krasniqi tha se opozita përkrah formulën tradicionale të Shqipërisë, ndërsa socialistët përkrahin formulën që ndjekin vende të tjera, si për shembull edhe Kosova.

“Në këto vende partitë krijojnë një listë të përbashkët me emër të ri... detaje teknike. Ajo që është shqetësuese është që fjala koalicion ishte në Kushtetutë para datës 30 korrik, heqja e saj i jep mundësi të devijohet nga praktika dhe kryeministri ka treguar se ka dëshirë të heqë dorë nga formula që e solli atë në pushtet në vitin 2013, që ishte koalicion i hapur,” – tha Krasniqi duke kujtuar se deri më sot nuk ka garanci nga sistemi që zgjedhjet do të bëhen në mënyrë më të hapur.

Politologu kujtoi se sërish kryetarët do të kenë të drejtë të bëjnë listat, oferta politike mbetet ende zbehtë ndërkohë që gara zgjedhore mbetet ende e cenueshme dhe e ndikueshme nga elementë të krimit.

 

Lexoni gjithashtu:

Sekretari i PD-së Ivi Kaso: Propozimi i opozitës hap vërtetë 100% listat e kandidatëve

 

Tregime të lidhura