Ilva Now

Maskat e detyrueshme, Fico: Masa është mirë-menduar, po punojmë të specifikojmë rastet kur mund të mos përdoret

Përditësimi i fundit: 12/10/2020 - 19:33
Text size Aa Aa

Albana Fico Drejtoreshë e Institutit të Shëndetit Publik (ISHP), sqaroi për Ilva Now se si u mor vendimi për ta bërë të detyrueshëm mbajtjen e maskës edhe në mjediset e hapura.

Fico tha se çështja e mbajtjes së maskës mbetet ende në diskutim në komunitetin shkencor, por afrimi i stinës së dimrit dhe shtimi i virozave sezonale mund të rrisë ndërlikimet për grupmosha dhe njerëz që vuajnë nga sëmundje të tjera në rastet kur ata preken edhe nga COVID-19.

“Kjo masë e marrë është e mirë-menduar, nuk është një impuls dhe pjesa më e mirë e njerëzve janë dakord se çdo jetë kushton, në kohën kur nuk kemi akoma protokoll fitues ndaj pandemisë, që e kuron, nuk kemi vaksinën, e vetmja gjë që na mbetet në dorë është monitorimi i situatës dhe marrja e atyre masave që janë të domosdoshme në mos për ta parandaluar, për ta ngadalësuar përhapjen e tij,” – u shpreh Fico.

“Jemi duke punuar për të përkufizuar të gjitha ato raste kur maska në komunitet mund të mos përdoret apo të hiqet përkohësisht, ndërsa për sa i përket kontrollit të kësaj situate me polici nuk besoj se ajo mund ta diktojë fitoren,” – shtoi më tej drejtuesja e ISHP-së.

Fico e justifikoi masën e marrë me faktin se në tërësi, sipas saj, “shqiptarët nuk e kanë kulturë mbajtjen e maskës, sikurse është në vendet aziatike”.

Gjatë intervistës me gazetaren Ilva Tare, ekspertja e shëndetësisë, Albana Fico theksoi se "koronavirusi është një virus i pabesë", pasi edhe "protokollet shëndetësore që po kërkon për trajtimin e të sëmurëve po ndryshon herë pas here". Ajo këmbënguli se mbeten ende elementë të paditur se sa zgjat imuniteti për ata që e kalojnë, çfarë dëmtimesh afatgjata lë, sëmundjet kronike që përkeqëson e të tjerë.

 

Intervista e plotë: 

Tregime të lidhura