Ilva Now

Rezerva për Kodin Zgjedhor, Ilir Beqaj “kundër” PS-së: Dy pakënaqësitë që i gjej në Shkodër

Përditësimi i fundit: 26/10/2020 - 21:46
Text size Aa Aa

Deputeti i Partisë Socialiste, Ilir Beqaj, ndryshe nga kolegët e tjerë që i kanë mbrojtur me "zë" ndryshimet në Kodin e ri Zgjedhor, ky i fundit duket se ka rezerva mbi këtë proces.

Gjatë një interviste me gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania ish-ministri i Shëndetësisë u shpreh se ndryshimi duhet të kishte qenë pak më i thellë. Ai madje shtoi se kjo çështje duhet të merrte jehonë dhe një diskutim më të gjerë në opinionin publik.

“Interesi i vendit ishte që të bënim ndryshimet për të plotësuar edhe kushtet e reformës ndërkombëtare, ndërsa për mendimin tim duhet të kishim qenë më të thellë, por ndoshta koha ishte shumë e ngushtë. Biseda u polarizua shumë, por mund të kishte qenë një bisedë më shumë e përhapur në opinionin publik për të bërë ndryshime afatgjata”, tha ai.

Deputeti socialist tashmë ka dhe një detyrë të re, e cila i është ngarkuar nga vetë kryeministri Edi Rama. Në betejën zgjedhore te 2021-it, ish-ministri është caktuar si drejtues politik i Partisë Socialiste në qarkun e Shkodrës. Ai tregoi panoramën me të cilën ndeshet në qarkun Shkodër, ndërsa renditi edhe dy sfidat kryesore. Sipas tij, ka perceptime në publik se kryeqendra e veriut, Shkodra, është lënë pas dore.

“Më kanë caktuar detyrën në qarkun e Shkodrës. Në Shkodër kemi një specifikë, sigurisht se ka dy lloj pakënaqësish. E para kemi pasur një boshllëk organizativ në parti për 14 muaj, dhe vetë socialistët janë ndjerë pak si të lënë mënjanë, për fat të keq u zgjat edhe prej pandemisë. Kjo është brenda. Ajo çfarë unë me vështirësi po përpiqem të komunikoj me shkodranët është perceptimi i tyre, për mua i pasaktë, që Shkodra është lënë pas dore. Ky është perceptimi. Kjo është situata sot dhe unë dua ta zbus maksimalisht deri në 25 prill. Unë sot në Shkodër mund të rendis një listë gati 102 milionë dollarë në funksion të zhvillimit të qarkut me fokus te turizmit gjithëvjetor", u shpreh ish-ministri i Shëndetësisë. 

 

Intervista e plotë:

 

 

 

Lexoni gjithashtu: 

Rritja e të infektuarve, ish-ministri i Shëndetësisë Ilir Beqaj: Situata nuk është e mirë