Ilva Now

Rron Gjinovci: Reagimi i Albin Kurtit për aktakuzat ndaj ish-drejtuesve të UÇK-së skandaloz

Përditësimi i fundit: 16/11/2020 - 20:21
Text size Aa Aa

Analisti Rron Gjinovci e konsideron “skandaloz” reagimin e kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ndaj aktakuzës së ish-udhëheqjes së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK).

Duke komentuar zhvillimet e fundit për Euronews Albania, së bashku me analistin Fitim Salihu, Gjinovci tha se Vetëvendosje ka mbajtur qasje kundër Gjykatës Speciale dhe nëse marrim parasysh se formimi dhe funksionimi i saj është sipas Kushtetutës së Kosovës “sulmi ndaj saj është shqetësues”.

“Ishte qëndrim skandaloz. Ka dy javë rresht që të gjitha partitë dhe politikanët janë duke e sulmuar Gjykatën Speciale, e cila është e parashikuar në Kushtetutë. S’e kuptoj se me çfarë të drejte i kanë dhënë vetes politikanët e Kosovës të sulmojnë pushtetin e tretë, atë të drejtësisë, e kuptoj nëse dikush do të dilte të thoshte se ‘nëse do të shohim që ka ndërhyrje politike ne do t’i ndihmojmë sepse është e rëndësishme, lufta e popullit të Kosovës...’ mirëpo të dalësh e të sulmosh institucionet e drejtësisë kosovare, sepse ato janë në Kushtetutën e Kosovës, në atë mënyrë sikurse ka bërë Albini [Kurti]... ai ka dhe përgjegjësi më të madhe sepse është partia fituese e zgjedhjeve të fundit, e më pas çfarë po bëjnë partitë e tjera, mediat... kjo është jashtëzakonisht shqetësuese sepse kjo na tregon se nuk po ekziston diferenca e nevojshme mosndërhyrja në drejtësi,” – u shpreh Rron Gjinovci.Përballë replikës se Kurti nuk e votoi ngritjen e Gjykatës Speciale dhe për rrjedhojë mund të ketë të drejtë në qasjen e tij, Gjinovci u përgjigj në mënyrë kategorike se ligji duhet respektuar “duam apo s’duam ne, pajtohemi apo s’pajtohemi ne me të”.

Fitim Salihu tha se reagimi i Albin Kurtit ishte i vonuar, ndërkohë që për qëndrimin e Gjinovcit ai tha se “Gjykata mund të jetë e ligjshme, por kjo nuk do të thotë se është e drejtë”.

“Deshëm apo s’deshëm bëhet fjalë për një ish-President, dy ish-kryeparlamentar, një ish-shef të grupit parlamentar të partisë më të madhe në Kuvend [Kadri Veseli, PDK],” – u shpreh Salihu duke theksuar se Vetëvendosje duhej të kishte një qëndrim më të shpejtë ndaj aktakuzave ndërsa për kritikat ndaj Gjykatës duhet të ishin më të matura.

 

Ndiqni intervistën e plotë:

 

Lexoni gjithashtu:

Gjyqi në Hagë, Rron Gjionvci: Akuzat individuale, Fitim Salihu: Për luftën e UÇK-së