Ilva Now

Protestat për vrasjen e Klodian Rashës, Ballauri: Reagim i natyrshëm i të rinjve, prepotenca e qeverisë do t’i ndezë më shumë

Përditësimi i fundit: 14/12/2020 - 19:19
Text size Aa Aa

Elsa Ballauri, drejtore e grupit shqiptar për të drejtat e njeriut tha për gazetaren Ilva Tare në Euronews Albania se protestat pas vrasjes së 25-vjeçarit Klodian Rasha lindën si një reagim i natyrshëm, ‘pas një ngjarjeje shumë të rëndë, që është një dhunim i të drejtave të njeriut kur shteti vepron kundër individit’.

Sipas saj, është diçka pozitive që ka një reagim pas një ngjarjeje shumë të rëndë, dhe e kundërta do të ishte jo e natyrshme.

“Nëse në Shqipëri do të vazhdonte e njëjta seri e shumë ngjarjeve që nuk ishin aq të mëdha, por ekstreme dhe shumë problematike ku në përgjigje kemi hedhur do të ishte zhgënjim në maksimum dhe shumë e pakthyeshme.

Kishte një reagim dhe ishte shumë i natyrshëm që erdhi nga moshatarët e Klodianit, nga të rinj, studentë, pastaj se si mund ta analizojmë më tej duke thënë se Rasha ishte pretekst, shkëndija për kaq shumë gjëra të akumuluara.

Studentët nuk ishin kot atje, që u revoltuan për momentin dhe ata që dolën për ditët e tjera vinin nga një lëvizje studentore e ndodhur 2 vitet e fundit. Do ishte habi nëse nuk do të ndodhte, pasi shpesh ankohemi ku janë të rinjtë, pse janë indiferentë”, tha znj. Ballauri.

Sipas saj, fakti që ministri i Brendshëm dikur ka thënë me gojën e tij se në fytyrën time shikoni atë të një polici tregon prirjen e politikës shqiptare për të politizuar këdo dhe gjithçka.

Angazhimi i të rinjve qoftë edhe politikisht, për znj. Ballauri është diçka pozitive, shumë më mirë, se siç tha, të qëndrojnë pasivë duke e shtyrë jetën nëpër kafene, por prepotenca që po tregohet nga qeveria sipas saj, do t’i ndezë edhe më tej protestat.

“Prepotenca politike vazhdon të jetë dhe kryeministri nuk thotë më fal, kjo do t’i ndezë protestat.

S’ka asnjë zgjuarsi politike nga ana e tyre për t’i zgjidhur gjërat”, tha ajo.

Ndiqni debatin e plotë:

Tregime të lidhura