Ilva Now

Sondazhi l Pse Anila Denaj dhe Elisa Spiropali janë më pak të vlerësuarat?

Përditësimi i fundit: 22/02/2021 - 21:29
Text size Aa Aa

Anila Denaj, ministre e Financave dhe Ekonomisë dhe Elisa Spiropali, ministre e Shtetit për Marrëdhënie me Parlamentin janë dy ministret më pak të pëlqyera në sondazhin e Euronews Albania.

Analistët në studion e “Ilva Now” deri në një farë pike ishin të gjithë dakord se vlerësimi për znj. Denaj bëhet duke u nisur nga xhepi dhe situata ekonomike e vendit dhe qëndrimet e saj kanë qenë teknike dhe jo politike.

Kurse për znj. Spiropali, analisti Ergys Mërtiri tha se ajo ka marrë shumë vota kundër për shkak të qëndrimeve të forta në studiot televizive dhe betejat politike me opozitën.

Sipas z. Mërtiri qeveria “Rama” është më shumë jo politike dhe kjo bën që mendimi negativ të mos jetë shumë i lartë por kur vjen puna për votën atëherë kjo çështje ndryshon.

Ndërsa Plator Nesturi vuri në pah faktin që Arben Ahmetaj, ministër i Rindërtimit është shumë pak i vlerësuar nga të majtët por edhe nuk kontestohet shumë nga të djathtët.

Nga ana tjetër Iris Luarasi u shpreh se pas 8 vite qeverisje priste që vlerësimi të ishte akoma edhe më poshtë pasi pushteti të konsumon.

Por Edlira Gjoni tha se sondazhi është negative pasi 60% e publikut ka pakënaqësi ndaj qeverisë “Rama”.

“Nga 16 emra, 7 janë me 41%, 9 janë me 60% ose kundër ose shumë kundër. Që 60% e kabinetit aktual ngjall pakënaqësi te publiku dhe në qoftë se nuk e merr parasysh rilindja, ata qofshin”, tha ajo.