Jetesë

Dashuri në kohë të coronavirusit: Si të bashkëjetojmë në karantinë?

Përditësimi i fundit: 18/03/2020 - 17:39
Text size Aa Aa

Një frigorifer i mbushur me ushqime. Konserva që sa nuk po bien nga dollapët e kuzhinës. Verë, uiski dhe birra të vendosura mënjanë deri në momentin kur do kërkojmë të largojmë mendjen të paktën.

Por pas përgatitjeve frenetike për karantinë, çfarë ndodh me çiftet dhe familjet, horizontet e të cilëve janë katër muret e shtëpisë dhe shoqëria vetme, të paktën për tani, janë më të afërtit tonë?

Në Kinë, duket se pas përfundimit të karantinës, është shtuar numri i divorceve. Një nga gjërat e para që çiftet kanë bërë sapo kanë parë rrezen e parë të lirisë ka qenë rruga drejt avokatit.

Pra, pyetja është, si ta ushqejmë me dashuri marrëdhënien gjatë periudhës së karantinës?

Dr Judith Zur, psikologe dhe terapiste familjare, shpjegon se për shkak të stresit nga pandemia e coronavirusit, shumë prej nesh nuk do të jenë në gjendjen e tyre më të mirë emocionale.

Shkalla e divorcit në Kinë nuk është aspak befasuese për të, duke qenë se problemet e mëparshme padyshim që të do acarohen edhe më shumë nga ankthi i shkaktuar prej izolimit dhe virusit.

Por paraprija e problemeve mund të jetë çelësi për të ushqyer një marrëdhënie të shëndetshme me personat e zemrës.

Empatia

Këshilla kryesore e Dr Zur është komunikimi: Të qenit të ndjeshëm është çelësi si për çiftet ashtu edhe për familjet.

Ajo thotë se është e rëndësishme që të caktohen role për shpërndarjen e punëve në shtëpi dhe të vendosen detyra specifike midis çiftit dhe fëmijëve.

Pjesëtarët e familjes duhet të përpiqen të jenë tolerantë dhe të marrim më shumë përgjegjësi për ndarjet e punëve të shtëpisë në krahasim me më përpara. Këto duhen diskutuar më parë me njëri-tjetrin në mënyrë që detyrat të jenë të drejta dhe më pas të rishikohen nëse po funksionojnë me të vërtetë.

Dëgjoni

Në kohët kur ndihemi të trembur apo të stresuar, duhet t’i japim kohë vetes për t’u qetësuar dhe për të dëgjuar ndjenjat e të tjerëve.

Burrat kanë tendencën që të mundohen të gjejnë zgjidhjen e të gjitha problemeve, por Dr. Zur sugjeron që të përpiqeni t’i dëgjoni pa i gjykuar apo pa i hedhur poshtë mendimet e tyre. Frika mund t’i përngjajë zemërimit shton ajo, kështu që edhe nëse ka zënka, mos e merrni personalisht.

Karantinë në karantinë

Të gjithë kemi nevoja të ndryshme, një prej më të zakonshmeve është ajo e të pasurit hapësirë.

Por është edhe një nga më të vështirat gjatë karantinës, kur e gjithë familja është e mbyllur në shtëpi për 24 orë në 24.

Këshilla e Dr Zur është praktike, krijoni hapësirë brenda hapësirës.

E nëse ju keni nevojë për hapësirë por partneri juaj jo, sigurohuni që të jeni të kujdesshëm edhe për nevojat e tyre gjithashtu.

Së fundmi, Dr Zur i bën thirrje çifteve që të mos nxitohen nëse presioni nga izolimi i çon drejt idesë se marrëdhënia e tyre është problemi në vetvete.

Koha që do të shpenzojmë së bashku është e çmuar. Ndoshta, nëse dëgjojmë njëri-tjetrin, nëse mësojmë, qeshim e dashurojmë, atëherë do të mund ta transformojmë këtë stres të ri në një forcë për të vazhduar përpara.

Lexoni gjithashtu:

Dasmë në kohën e coronavirusit, më pak të ftuar dhe pa puthje

Si të martohesh gjatë krizës së coronavirusit

Tregime të lidhura