Një libër i ri për fëmijë që mban firmën e shkrimtares britanike J.K Rowling doli në shitje ditën e martë në libraritë në mbarë botën.
Tregimi i ri i autores së sagës “Harry Potter” titullohet “Derrkuci i Krishtlindjes” dhe rrëfen jetën e Jack, një djalë i vogël që adhuron lodrën e tij, derrkucin me emrin Dur.
Megjithatë, natën e Krishtlindjes ai e humbet lodrën dhe nis një aventurë të jashtëzakonshme në kërkim të saj.
“Derrkuci i Krishtlindjes” është një aventurë që të ngroh zemrën, një libër që të detyron ta mbash hapur e që tregon dashurinë e një fëmije për gjënë më të çmuar të tij, si dhe vullnetin për ta gjetur sërish atë”, kanë qenë komentet e mediave britanike.
Libri i ri doli në treg shoqëruar me risinë se shitja e librave të Rowling me protagonist magjistarin jetim Harry Potter ka kaluar kuotën e 500 milionë kopjeve.
Kjo pasi 7 librat e sagës së famshme janë përkthyer në 80 gjuhë të botës dhe janë përshtatur në 8 filma.
Autorja është gjithashtu e njohur për novelën “Bishat Fantastike”, që u kthye gjithashtu në një seri filmash.
Ndërsa nën pseudonimin Robert Galbraith ajo ka shkruar novelat policore me detektivin privat Cormoron Strike. Vetëm vitin e kaluar doli vëllimi i radhës, i titulluar “Gjak i Trazuar”.