Në kuadër të mbylljes së projektit të realizuar nga Selia e Shenjtë Bektashiane, “Viti i Naim Frashërit”, u bë promovimi i librit “Naim Frashëri, Apostull dhe bilbil i shqiptarizmës”, i autorëve Kujtim Boriçi & Nuri Çuni.
Në këtë aktivitet morën pjesë drejtues dhe përfaqësues të besimeve fetarë në Shqipëri, Kosovë, Maqedoni të Veriut, përfaqësues të institucioneve shtetërore të këtyre vendeve, si dhe akademikë, profesorë të historisë e letërsisë dhe të ftuar të tjerë.
“Poeti i madh Naim Frashëri është dhe do të mbetet gjithmonë simbol drite, diturie, adhurimi për milionë bektashinj në botë. Ndërsa për shqiptarët kudo që ndodhen, mbetet modeli i atdhetarizmit dhe njeriu që deshi dhe pasuroi ndoshta si askush, gjuhën e mrekullueshme shqipe”, u shpreh kryegjyshi botëror Baba Mondi.
Kryegjyshi e cilësoi këtë libër një kontribut të rëndësishëm në fushën e publicistikës dhe studimore kushtuar Naimit.