Kinema

Shtyhet për në nëntor dalja në kinema e filmit të ri të James Bond

Përditësimi i fundit: 04/03/2020 - 21:50
Text size Aa Aa

Data zyrtare e daljes në kinema të filmit të ri të James Bond “No Time to Die” (Nuk ka kohë për të vdekur) do të shtyhet deri në nëntor, kanë lajmëruar producentët e filmit të mërkurën.

“Filmi do të shfaqet për herë të parë në Mbretërinë e Bashkuar më 12 nëntor 2020, më pas në Shtetet e Bashkuar më 25 nëntor, ndërsa së shpejti do të publikohen dhe datat se kur do të shfaqet në shtetet e tjera”, thuhej përmes një deklarate në faqen zyrtare të James Bond në Twitter . Në deklaratë nuk citohej virusi si arsyeja e shtyrjes së datës.   

Më herët, fansat folën hapur për shqetësimin e tyre rreth kohës së shfaqjes së filmit të ri, ndërsa dy faqe fansash të James Bondit i kërkuan studios së produksionit që ta shtyjnë datën pasi kinematë mund të qëndrojnë të mbyllura deri në prill.   

Të martën, Disney anuloi një ceremoni që kishin planifikuar për promovimin e daljes në transmetim të kanalit Disney+ në Europë, konkurrenti i shumëpritur i Netflix dhe Amazon Prime, i cili do të shfaqë “The Mandalorian”.

Disa personazhe dhe producentë të famshëm kishin planifikuar pjesëmarrjen në tapetin e kuq në Londër për të promovuar kanalin e ri televiziv, por Disney tha se ceremonia do të anulohet.

Disney u shpreh se ishin të shqetësuar për perspektivën e ndërmarrjes së një udhëtimi në kohëra të tilla.