Kosovë

Albin Kurti letër Thaçit, kreu i VV-së: Mos bëj presion, jemi afër marrëveshjes me LDK

Përditësimi i fundit: 13/01/2020 - 12:19
Text size Aa Aa

Kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i është drejtuar sot me një letër Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit në lidhje me kërkesën e këtij të fundit për nominimit të emrit të mandatarit të qeverisë së re të Kosovës.

Lideri i Vetëvendosjes, Albin Kurti i kërkon kreut të shtetit që të mos bëjë vlerësime politike dhe presion përmes paragjykimit të procesit politik të formimit të qeverisë, proces ky që sipas tij, është i përcaktuar qartë me Kushtetutë dhe i sqaruar në hollësi.

Përmes letrës së tij, Albin Kurti i bën me dije Presidentit të Kosovës se është shumë pranë finalizimit të marrëveshjes me Lidhjen Demokratike të Kosovës për formimin e qeverisë.

Kreu i VV-së i kujton në letër Presidentit Hashim Thaçit rregullin kushtetues në të cilën thuhet se: “Kushtetuta e Kosovës nuk i njeh presidentit diskrecion e as rol aktiv në procesin e caktimit të mandatarit apo edhe të garantimit të një shumice parlamentare për zgjedhjen e qeverisë në Kuvend”

Ai thotë se në të ardhmen e afërt presidenti Thaçi do të ketë edhe emrin e propozuar për kryeministër.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk po e shfrytëzon këtë kohë për të neglizhuar ndërtimin e koalicionit as edhe të cenojë autoritetin e presidentit, por me qëllim të arritjes së një marrëveshjeje politike që adreson një dakordim për programin qeverisës”- thuhet në letrën që Kurti i dërgoi sot Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçit.

Qytetarët e Kosovës në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 votën e tyre ia besuan Lëvizjes Vetëvendosje, por sot, kur kanë kaluar mbi tre muaj nga ky proces, Albin Kurti dhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa akoma nuk e kanë gjetur emëruesin e përbashkët për formimin e qeverisë së re, e cila  pritet të përfaqësojë qytetarët e Kosovës përgjatë katër viteve të ardhshme.

letra1_5353_copy.jpg?t=1578911806

letra2.jpg?t=1578911806