Kosovë

Dorëheqja e Ramush Haradinajt, nënkryetari i AAK-së tregon arsyet e këtij veprimi

Përditësimi i fundit: 13/01/2020 - 11:07
Text size Aa Aa

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka dhënë dorëheqjen ditën e djeshme nga partia Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, parti të cilën ai vetë e themeloi 19 vite më parë, konkretisht në vitin 2001.

Kjo lëvizje e re e shefit të qeverisë  kosovare është interpretuar në forma të ndryshme nga analistët politikë në Kosovë. Ata shprehen se kjo “taktikë” e re e Haradinajt jep sinjale se ai synon të marrë drejtimin e postit të Presidentit në rast se dështon tentativa e Vetëvendosjes dhe LDK-së për të formuar qeverinë e re.

Por ndryshe nga analistët, vetë Ramush Haradinaj shpjegoi dje për mediat se ai ka dhënë dorëheqjen nga posti i kryetarit të partisë për shkak të zgjedhjeve, të cilat pritet të zhvillohen gjatë muajve të ardhshëm në radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës.

Në lidhje me zhvillimet e reja brenda Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës dhe për lëvizjet e kreu te qeverisë, ka folur nënkryetari dhe deputeti i AAK-së, Ardian Gjini.

Në një lidhje me “Skype”, deputeti i AAK, Ardian Gjini tha për Euronews Albania se analistët kanë bërë gabime në interpretim dhe se dorëheqja e Haradinajt nuk ka sfond  për karrigen e Presidencës, por lidhet thjesht me rregullat statutore të zgjedhjeve brenda vetë partisë së tij.

“E para e punës, ka qenë për mendimin tim një gabim në interpretim për shkak se statusi i Aleancës e rregullon gjithë këtë çështje. Në momentin kur Kuvendi i Përgjithshëm Partisë I shpall zgjedhjet, të gjithë zyrtarët janë në dorëheqje, domethënë edhe kryetarët edhe nënkryetarët, edhe kryesia por edhe kryetarët e degëve.

Do të thotë se nuk kemi një largim nga AAK, por kemi të bëjmë me një rast tipik statutor, në bazë të të cilit në bazë të shpalljes së zgjedhjeve, të gjithë janë të dorëhequr, të tjerat janë çështje që do të vijnë gjatë procesit zgjedhor në Aleancë.

E para e punës është goxha për keqardhje mosformimi i qeverisë deri tani.

Mendoj se po kalon shumë kohë e vlefshme edhe Kosova rrezikon që të futet në një krizë të thellë për shkak se jemi duke i numëruar ditët, kur mund ta shfrytëzojmë 1/12 të buxhetit muaj për muaj dhe mos miratimi eventual i buxhetit me vërtetë do të kishte pasoja jashtëzakonisht të dëmshme për Kosovën.

Në anën tjetër më duhet t’ju them, se Aleanca nuk ka asnjë negociatë me asnjë partive për krijimin e qeverisë. Ne edhe sot qëndrojmë në mendimin se qeveria e Kosovës duhet të krijohet nga partia, e cila i ka fituar zgjedhjet, dhe partia që i ka fituar zgjedhjet e mban përgjegjësinë e plotë për situatën në të cilën mund të hyjë Kosova.

Kështu që ne dëshirojmë që sa më shpejt të krijohet qeveria e Kosovës, Nuk kemi negociata për diçka tjetër.

Në momentin që hapen zgjedhjet, secili anëtar i Aleancës ka të drejtë të kandidohet. Unë besoj se kryetari  Haradinaj do kandidoj sërish për shkak se Aleanca ka nevojë për, besoj që edhe Kosova ka nevojë për të.

Këto çështje do të shihen, sepse kemi dy apo tre muaj si proces brenda Aleancës. Unë mendoj që po”-tha z. Ardian Gjini.