Kosovë

Dyshohet për rastin e parë të prekur nga coronavirusi në Kosovë

Përditësimi i fundit: 08/02/2020 - 21:29
Text size Aa Aa

Një shtetase nga Britania e Madhe që jeton në Kosovë, është duke u ekzaminuar si rasti i parë i dyshuar me coronavirus në Kosovë.

Lajmi është konfirmuar nga Ministria e Shëndetësisë në Kosovë, e cila thekson se janë duke u kryer analizat për rastin në fjalë.

Në konferencën urgjente të mbajtur në Klinikën Infektive, ministri Arben Vitia ka pohuar se bëhet fjalë për një shtetase të huaj, e cila punon në Kosovë, e cila dyshohet se mund te jetë infektuar ndërsa ndodhej për ski jashtë Kosovës.

“Ka qenë në një qendër skijimi dhe ajo pasi ka dëgjuar se ka pas persona të infektuar, pasi ka pas një kollë, ajo ka ardhur dhe ka bërë një kontroll dhe rezultatet jemi duke i pritur. Sipas të gjitha gjasave nuk do të ketë rezultate pozitive dhe nuk ka asgjë për t’u frikësuar”, tha  Vitia.

Shqipëria dhe Kosova për shkak se nuk kanë lidhje të drejtpërdrejta me Kinën janë konsideruar deri tani si vende me rrezik të ulët për përhapjen e virusit vdekjeprurës.

Zyrtarisht,  deri tani nga institucionet si në Kosovë dhe Shqipëri nuk kanë konfirmuar asnjë rast të infektuar me coronavirus.

Në Evropë janë raportuar disa persona të infektuar, ndërsa në Kinë, numri i viktimave ka shkuar në mbi 720, ndërsa të infektuar numërohen mbi 34 mijë persona.

Tregime të lidhura