Kosovë

Dialogu Kosovë-Serbi, Abazi: Ndërkombëtarët të jenë ndërmjetësues, jo lehtësues të bisedimeve

Përditësimi i fundit: 14/02/2020 - 18:23
Text size Aa Aa

Zëvendëskryeministri i Republikës së Kosovës, Haki Abazi ishte i ftuari i radhës në emisionin “Balkan Talks” të gazetarit të Euronews Albania, Franko Egro.

Si zyrtar i lartë i Lëvizjes Vetëvendosje, ai u ndal tek vështirësitë e krijimit të një koalicioni funksional me Lidhjen Demokratike të Kosovës si dhe tek disa prej sfidave më madhore me të cilat ballafaqohet qeveria Kurti si lufta kundër krimit e korrupsionit dhe negociatat e vështira me Republikën e Serbisë për gjetjen e një zgjidhjeje përfundimtare në raportet mes këtyre dy shteteve.

“Së pari negociatat mes LVV-së dhe LDK-së ishin të gjata dhe aspak të lehta, pasi kishin për qëllim njehsimin e plotë të programeve mes të dyja forcave politike që fituan zgjedhjet politike. Dhe së dyti, ishte edhe interesi i një grupi njerëzish dhe i një sistemi që ishte krijuar në vend për të mbrojtur interesat dhe veten e vet. Ndodhi ajo që ne e kishim pritur prej një shteti plotësisht të kapur nga struktura që vepruan për veten e tyre, dhe shumë pak për shtetin dhe qytetarin e Kosovës. Kjo krijoi një situatë të re. Mund të them se ne si Lëvizje Vetëvendosje jemi lindur në një fazë tjetër të zhvillimit historik dhe jemi e vetmja lëvizje politike që ka mbijetuar përpos goditjeve dhe stuhive të krijuara në tranzicion pas rënies së Murit të Berlinit”, - u shpreh zëvendëskryeministri Abazi.

Duke shpjeguar një prej sfidave kryesore të qeverisë, z. Abazi nënvizoi se prioriteti i qeverisë Kurti është lufta ndaj krimit dhe korrupsionit dhe reformimi i plotë i sistemit të drejtësisë për të zbatuar plotësisht ligjin.

“Në rastin tonë, përveçse është premtim dhe prioritet, është edhe shansi i parë dhe i vetëm historik që gjenerata jonë e politikanëve, të cilët kanë qenë të suksesshëm në profesionet individuale, të vendosen në shërbim të jetës publike, me qëllim që shoqëria jonë në Kosovë të arrijë të bëhet e barabartë me shoqëritë e tjera ku ligji nuk diskutohet, por zbatohet; pra ku nuk ka asnjë mbi ligjin”, - tha ai.

Teksa ka shtjelluar mënyrën sesi do të zbatohet kjo sfidë madhore, zoti Haki Abazi u shpreh se zyrtarët në Kosovë do të marrin mësimet më të vyera nga vetingu në Shqipëri, që të mos bëjnë gabimet që bëri Shqipëria, por edhe përvojat e vendeve të tjera, duke i zbatuar brenda realitetit të Kosovës.

“Mendoj se Kryeministri ka bërë planin që të zhvillohet në formë paralele dhe komplementare me ndërhyrjet që do të bëhen, për të realizuar jo vetëm premtimin për të ngritur standardin për fillimin e luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Këtë nuk po e bëjmë sepse e kërkon BE, por sepse qytetari i Kosovës dhe shoqëria kosovare e meriton një gjë të tillë dhe gjithashtu nuk mund të ecë përpara as sektori privat dhe as ai publik, as marrëdhëniet tona rajonale e ndërkombëtare, nëse cilësohemi si vrima e zezë e krimit dhe e korrupsionit”, - u shpreh z. Abazi.

Më tej zv/kryeministri i Kosovës nënvizoi faktin se fatkeqësia e Kosovës ka ndodhur në momentin kur pushteti e ka përjashtuar qytetarin dhe popullin nga pjesëmarrja, ndërsa shtoi se pritshmërinë e lartë të opinionit ndaj tyre do ta kthejnë në bashkëpunim dhe partneritet.

Lidhur me marrëdhëniet e vështira me fqinjin verior të Republikës së Kosovës, Serbinë, z. Abazi theksoi se rifillimi i negociatave dhe dialogu me Serbinë do të bëhet brenda përkufizimit që bashkësia ndërkombëtare të jetë ndërmjetësuese dhe jo lehtësuese.

“Sepse historia e marrëdhënieve mes Serbisë dhe Kosovës nuk ka qenë e lehtë në të kaluarën dhe nuk mund të lejojmë që cilado qoftë marrëveshja të mund të bëhet pa ndërmjetësimin e bashkësisë ndërkombëtare”, - përfundoi z. Abazi.

 

Tregime të lidhura