Kosovë

Konferenca e Mynihut, pritet nënshkrimin i marrëveshjes Kosovë-Serbi për hekurudhat 

Përditësimi i fundit: 14/02/2020 - 07:09
Text size Aa Aa

Konferenca për Siguri në Mynih të Gjermanisë, që nis sot punimet vë përballë për herë të parë Kryeministrin e sapo zgjedhur të Kosovës, Albin Kurti me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Kryeministri Kurti gjatë ditës së djeshme ka kërkuar që para nisjes të konsultohet dhe koordinohet me Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, i cili ka udhëtuar mbrëmë për Gjermani. Por në letrën e tij, Kurti mori përgjigjen që presidenti ishte nisur.

Thaçi në anën tjetër gjatë orëve të mbrëmjes ka zhvilluar një takim me të dërguarin special të Presidentit amerikan, Donald Trump për dialogun Kosovë- Serbi, Richard Grenell.

“Diskutuam për dialogun me Kosovën dhe Serbinë, dhe hapat e ardhshëm drejt arritjes së marrëveshjes finale për njohje dhe anëtarësim në Kombe të Bashkuara. Falënderues për dinamikën e re që Grenell ka sjellë në proces dhe vendosmërinë e tij për paqe dhe përparim dhe rajon”, ka shkruar Thaçi pas takimit në "Twitter".

Ndërsa në konferencë për media, Thaçi ka deklaruar se Kosova është e zhgënjyer dhe e tradhtuar nga BE-ja për mosliberalizim të vizave.

Para takimit me Thacin, Grenell është takuar edhe me Presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç. Ky i fundit ka konfirmuar se sot do të nënshkruhet edhe marrëveshja për rihapjen e linjës hekurudhore Kosovë- Serbi.

“Kemi pasur një bisedë të hapur dhe të sinqertë. Është e rëndësisë më të madhe që amerikanët insistojnë për largimin e tarifës. I jam falënderues Richard Grenellit, Mike Pompeos dhe Presidentit Trump për këmbënguljen që tarifat të hiqen urgjent, në mënyrë që negociatat tona me Prishtinën të vazhdojnë”, shkruar Vuçiç në Tëitter.

Pjesëmarrës në Konferencën e Mynihut ndër të tjerë do të jenë edhe kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, presidenti i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, ai i Malit të Zi Milo Gjukanoviç e shefi i diplomacisë evorpiane, Josep Borrell.