Kosovë

Marrëveshjet Kosovë-Serbi, reagon Albin Kurti: Janë nënshkruar pa dijeninë e qeverisë sonë

Përditësimi i fundit: 14/02/2020 - 22:08
Text size Aa Aa

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka reaguar pas nënshkrimit të dy marrëveshjeve mes Kosovës dhe Serbisë ditën e sotme në Mynih.

Përmes një postimi në Facebook, z. Kurti thotë se zyrtarët që kanë nënshkruar këto marrëveshje nuk kanë marrë autorizim nga Qeveria e re as për të negociuar e as për t’i nënshkruara ato.

“Për më tepër as teksti i marrëveshjes nuk është bërë i njohur për publikun e për Qeverinë. Kanë qarkulluar drafte të ndryshme jozyrtare.

Sado që të gjitha lidhjet dhe avancimi i standardeve të infrastrukturës janë të domosdoshme për zhvillim të vendeve tona dhe pjesë e vizionit Evropian për bashkëpunim rajonal dhe marrdhënie të fqinjësisë së mirë, megjithatë është shumë me rëndësi që procesi të jetë transparent, rezultat i një negocimi të mirëfilltë dhe në respektim të plotë të sovranitetit dhe ligjeve të vendit, prioriteteve ekonomike dhe në harmoni me obligimet që dalin nga procesi i MSA-së”, - shkruan Kurti.

Për më tepër, sipas kreut të qeverisë së Kosovës, nëse “bazohemi te një version i marrëveshjes, po qe se analizohet për nga rëndësia ekonomike, hekurudha për në Leshak është më me prioritet dhe më e leverdishme sesa ajo për Merdare”.

“Në procesin e tranzicionit të qeverisjes, ne jemi duke analizuar të gjithë hapat që janë marrë në të kaluarën dhe ministritë përkatëse janë të angazhuara që këtë ta trajtojnë me prioritet”, përfundon Kurti.

Me prezencën e ambasadorit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës Richard Grenell dhe dy Presidentëve Hashim Thaçi dhe Aleksandër Vuçiç, nivelet teknike të Kosovës dhe Serbisë nënshkruan këtë të premte në Mynih të Gjermanisë dy marrëveshje, njëra për hekurudhën dhe tjetra për autostradën.

Por, Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi paralajmëroi edhe një marrëveshje të madhe, e cila siç tha ai, mund të nënshkruhet gjatë këtij viti. Bëhet fjalë për marrëveshjen finale Kosovë-Serbi.

“Kosova beson në Presidentin Trump dhe ambasadorin Grenell dhe gjatë këtij viti mund të arrihet marrëveshja përfundimtare Kosovë-Serbi”, tha Thaçi.

Tregime të lidhura