Kosovë

Mehmet Kraja: Shqiptarët, komb i privilegjuar në Ballkan, por të lodhur nga tranzicioni i stërzgjatur

Përditësimi i fundit: 22/03/2020 - 09:55
Text size Aa Aa

Në një intervistë për Balkan Talks të gazetarit Franko Egro, kryetari i akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës, Mehmet Kraja foli rreth perspektivës së shqiptarëve në rajon.

I pyetur se si i sheh shqiptarët e Kosovës 20 vjet pas konfliktit të armatosur me Serbinë, profesor Kraja tha se pas gjithë kësaj sakrifice e gjaku të derdhur për lirinë arrin të kuptosh se liria nuk e zgjidh gjithçka.

“Shoqëria kosovare tani kërkon më shumë se një liri që mund ta sjellë lufta. Shoqëria kosovare kërkon që ky tranzicion të jetë i fundmë, të mos zgjasë më. Në përgjithësi sot shqiptarët janë në një pozitë më të mirë se ç’kanë qenë gjatë historisë së tyre duke pasur parasysh se kemi 2 shtete shqiptare në ballkan dhe një shtet të tretë ku shqiptarët marrin pjesë ndjeshëm, Maqedonia e Veriut. Por tranzicioni i zgjatur i ka lodhur shqiptarët në Kosovë dhe në Shqipëri ndaj zhvillimet e fundit nuk janë ato të pritshme dhe jo aq pozitive”, tha z. Kraja.

Shprehja më e madhe e këtij tranzicioni pa fund sipas profesor Krajës, është shpopullimi masiv që po ndodh në Shqipëri dhe Kosovë, që është rezultat i politikës së gabuar të së shkuarës dhe të sotmes.

I pyetur lidhur me faktin se a ka ardhur momenti i zgjidhjes përfundimtare të marrëdhënieve mes Kosovës dhe Beogradit përmes një marrëveshjeje, z. Kraja u shpreh i bindur se gjatë historisë së vet Kosova ka bërë shumë kompromise, më të shumtat me pakon Ahtisaari të 2008, dhe tashmë i takon Serbisë të bëjë edhe ajo kompromiset e veta.

“Çështja e njohjes nga Serbia nuk ka më rëndësi. Ne kemi plotësuar të gjitha kushtet, kemi shpallur pavarësi të kushtëzuar, Kosova ka bërë kompromise edhe në Kushtetutë. Minoriteti serb në Kosovë ka aq shumë të drejta, sa kemi dikriminim të shqiptarëve të Kosovës”, tha ai.

Tregime të lidhura