Kosovë

Bie qeveria Kurti, kalon mocioni i mosbesimit me 82 vota pro

Përditësimi i fundit: 25/03/2020 - 22:52
Text size Aa Aa

Me 82 vota pro, 32 kundër dhe një abstenim u miratua mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti. Pas disa orësh debate 117 deputetët e Kuvendit të Kosovës dolën në këtë përfundim.

Ndryshe Qeveria Kurti do të njihet si qeveria më jetëshkurtër në pushtet, me vetëm 50 ditë në pushtet.

Mocioni u nis LDK-ja për rrëzimin e Qeverisë Kurti, pjesë e së cilës ishte edhe kjo parti. Në Kuvend ku u përsëritën akuza e kundërakuza të tashmë ish-partnerëve të koalicionit qeverisës, prishja e të cilëve ndodhi për shkak të shkarkimit të ministrit të Brendshëm Agim Veliu që vjen nga radhët e LDK-së.

Sipas Kushtetutës së Kosovës, tani procedura kalon tek Presidenti. Ai mund te shpallë dekretin për shpërndarjen e Kuvendit, por prej pandemisë së COVID-19 zgjedhjet e jashtëzakonshme nuk janë opsion.

Presidenti duhet që prapë t’ia japë mandatin fituesit të zgjedhjeve (VV-së) që të sigurojë 61 vota dhe të formojë qeverinë. Nëse kjo dështon, është ne diskrecionin e tij që herën e dytë këtë mundësi t’ia jap partisë që garanton që ka 50% plus 1 votë për bërjen e ekzekutivit.

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka akuzuar ministrin e shkarkuar Agim Veliu dhe kryetarin e LDK-së Isa Mustafa se kanë kundërshtuar vazhdimin e dialogut ndërmjet Lëvizjes Vetëvendosje dhe LDK-së me propozim të ministrit të Mbrojtjes, Anton Quni, para se Kuvendi të shkonte më herët në pauzë.

Kryetarja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e LDK, Vjosa Osmani votoi kundër mocionit të mosbesimit për Qeverinë Kurti, siç e kishte paralajmëruar dhe më herët.

“Do të votoj kundër çdo mocioni që e lë qoftë edhe një qytetar të vetëm pa disa nga ministrat që kemi parë dhe do të votoj kundër çdo mocioni që Kosovën e lë pa ministra si Lumir Abdixhiku dhe Arben Vitia, dhe do të votoj kundër çdo mocioni që ia pret këmbët atyre që kishin shpresën dhe ia nxin jetën të papunit”, është shprehur Osmani.

Ajo gjatë fjalimit në Kuvend tha “se disa mendjeshkurtër ia tregojnë derën”, duke aluduar tek ish-ministri Agim Veliu, i cili kishte dalë hapur kundër qëndrimit të Osmanit për mos rrëzimin e Qeverisë Kurti. “Disa mendjeshkurtër, ma tregojnë mua derën, e rruga është ajo që ta shtron besimi qytetarë, e atë nuk e kam ndërmend ta braktisë. Kështu votoj pro shpresës dhe një jete më të mirë. Do të votoj kundër sepse qëndroj fort për fjalën për ndryshim”, tha Osmani.

Tregime të lidhura