Kosovë

Albin Kurti reagon pas rrëzimit të qeverisë: Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme

Përditësimi i fundit: 26/03/2020 - 13:43
Text size Aa Aa

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar me një status në faqen e tij zyrtare "Facebook" se rrëzimi i qeverisë mbrëmjen e djeshme me 82 vota ishte qasje e domosdoshme, pasi kjo sipas tij, do të sjellë ngritjen e nevojshme.

Sipas Kurtit, qeveria si “përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje”. Lideri i VV-së  shprehet se mbledhja e djeshme e Kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë nga qytetarët e Republikës së Kosovës.

Gjatë ditës së djeshme Albin Kurti tha para deputetëve në Kuvend se do të kundërshtojë çdo marrëveshje, që do synojë të arrijë me Serbinë Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi.

Reagimi i Kurtit:

Ishte kjo një rënie e domosdoshme për ngritjen e nevojshme. Pa rënë qeveria si përbërje nuk bëhet dot qeverisja si përmbajtje. Jo se e kemi ditur, gjithsesi e morëm vesh. Mbledhja e djeshme e kuvendit do të ishte mirë të mbahej mend gjatë. Mirëpo, nuk do të ndodhë kështu, sepse ne do të fitojmë. Pra, e ardhmja është e jona, ndërkohë që do ta humbim një tragjedi.

Ky kuvend nuk e beson këtë qeveri sepse i nënshtrohet qeverisë si të tillë. Qeveria jonë nuk e beson këtë kuvend sepse e dashuron kuvendin si të tillë. Saktë e kishte thënë mbrëmë Prof. Enver Hasani: mosbesimi ishte koniuktural. Kur përfaqësimi demokratik bie në koniukturë politike, tjetërsimi bëhet normë.

Qëllimi i mosbesimit nuk ishte rrëzimi i qeverisë sa dobësimi i qeverisjes. Ndërkaq kuptimi i mosbesimit ishte porosia ambasadorit Grenell: në Kosovë janë mbi 80 deputetë të gatshëm të rrezikojnë edhe jetët e qytetarëve vetëm që të kalojë shkëmbimi presidencial.

Do të vazhdojmë si qeveri në detyrë. Jemi qeveri me detyra dhe jo qeveri e detyruar. Para së gjithash, duhet ta luftojmë bashkë pandeminë Covid-19. Mbi të gjitha, le t’i rrimë popullit afër se Kosova është shtëpia jonë.

Tregime të lidhura