Kosovë

Grenell, Kosnett dhe Palmer deklaratë të përbashkët: S'ka plan sekret për shkëmbim territoresh Kosovë-Serbi

Përditësimi i fundit: 26/03/2020 - 22:06
Text size Aa Aa

Në një deklaratë të përbashkët, i Dërguari Special Richard Grenell, ambasadori i SHBA në Kosovë Philip Kosnett dhe Përfaqësuesi Special për Ballkanin Perëndimor Matthew Palmer adresuan disa çështje të nxehta të Kosovës si qeveria e ardhshme, COVID-19, tarifat dhe shkëmbimi i territoreve me Serbinë.

Deklarata (Link)

Shtetet e Bashkuara janë me popullin e Kosovës. Ne përgëzojmë përpjekjet e vazhdueshme të profesionistëve të shëndetit dhe atyre që po punojnë fort dhe në rrezik të madh, për të pakësuar progresin e COVID-19 në Kosovë. Në këtë kohë pasigurie, nxisim liderët e Kosovës të ndjekin Kushtetutën dhe sundimin e ligjit. Jemi të angazhuar të punojmë me çdo qeveri të formuar nga procesi kushtetues.

Më tej, nxisim liderët e Kosovës të heqin plotësisht tarifat. Ne besojmë se tarifat dëmtojnë popullin e Kosovës duke vështirësuar bashkëpunimin rajonal kundrejt COVID-19 – përfshirë vonimin e hyrjes në Kosovë të furnizimeve të nevojshme – dhe duke penguar zhvillimin ekonomik.

Duam ta bëjmë të qartë se nuk ka një plan sekret për shkëmbim territorial mes Kosovës dhe Serbisë, siç kanë spekuluar disa. I Dërguari i Posaçëm Presidencial Richard Grenell nuk ka parë dhe as ka diskutuar kurrë një plan të tillë. Fokusi i qeverisë së SHBA për mbështetjen e marrëveshjeve të fundit për të rikthyer lidhjet ajrore, hekurudhore dhe tokësore mes Kosovës dhe Serbisë synon të përmirësojë ekonominë dhe të krijojë momentum ekonomik. Ne besojmë se ky momentum do të japë energji të re për një proces dialogu që do të çonte në njohje të përbashkët mes dy vendeve.

Deklarata vjen një ditë pasi kuvendi i Kosovës kaloi mocionin e mosbesimit të qeverisë Kurti, me nismë të ish-partnerit qeverisës LDK, të cilët e akuzuan ndër të tjera z. Albin Kurti se po minon marrëdhëniet me SHBA.  

 

Lexoni gjithashtu:

Bie qeveria Kurti, kalon mocioni i mosbesimit me 82 vota pro 

Rrëzimi i Kurtit, Thaçi gati të nis konsultimet për qeveri gjithëpërfshirëse

Deputetja e VV-së, Mimoza Kusari: Vendi do të shkojë në zgjedhje të jashtëzakonshme sapo të mbarojë kriza e COVID-19