Kosovë

Krisja mes Vetëvendosjes dhe LDK, dallimet e thella në koalicion që çuan në rrëzimin e qeverisë

Përditësimi i fundit: 26/03/2020 - 07:49
Text size Aa Aa

Kuvend i Kosovës votoi mbrëmë mocionin e mosbesimit me 82 vota pro ndaj qeverisë së Albin Kurtit. Por, si erdhi deri te votimi i mocionit të mosbesimit të propozuar nga partneri i koalicionit, Lidhja Demokratike e Kosovës, do ta kuptojmë përmes një kronologjie të ngjarjeve në këto 50 ditët e qeverisjes.

Përtej dallimeve të mëdha mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës të cilat morën më shumë se tre muaj kohë për t’u harmonizuar, u arrit marrëveshja për koalicion qeverisës më 3 shkurt.

Ndër dallimet më të thella mes dy subjekteve politike që për 50 ditë qeverisje nuk arriti të shkrihej është çështja e tarifës 100% e vendosur për produktet me origjinë nga Serbia dhe Bosnia dhe Hercegovina.

Edhe pse në marrëveshjen mes dy partive u tha se u dakorduan që kjo taksë të zëvendësohet me masën e reciprocitetit, çështja u kthye në një “mollë sherri” e që çoi deri te kërkesa e LDK-së për votimin e mocionit të mosbesimit ndaj qeverisë me në krye Albin Kurtin.

Nën presion nga Shtëpia e Bardhë, direkt nga i dërguari special i Presidentit Donald Trump, Richard Grenell, Lëvizja Vetëvendosje nuk u zmbraps nga qëndrimi i saj. Ndërsa LDK insistonte në heqje të taksës duke akuzuar Kurtin që po rrezikon prishjen e raporteve me aleatin më të rëndësishëm të Kosovës, SHBA-të.

Kryeministri në detyrë pretendon se presidenti Hashim Thaçi dhe presidenti serb Alkesandar Vuçiç janë afër nënshkrimit të marrëveshjes finale mes dy shteteve dhe pengesë u bëhet pikërisht ai dhe mos heqja e plotë e tarifës.

Goditja e fundit për koalicionin ishte momenti kur Presidenti Thaçi kërkoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme gjë që vuri në pah mospajtimet e thella mes Vetëvendosjes dhe LDK-së.

Kurti pretendoi se në kohën kur në Kosovë ishin të konfirmuara vetëm 19 raste me COVID- 19, arsyeja pse Presidenti Thaçi po kërkonte shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme ishte që ai të shfrytëzonte kompetencat që do t’i merrte për nënshkrimin e marrëveshjes me Serbinë.

Në mbështetje të Presidentit Thaçi doli ministri i Punëve të Brendshme, Agim Veliu, i cili u shkarkua nga kryeministrin në detyrë  me arsyetimin se po përhapte panik.

Veliu është një ndër figurat më të rëndësishme në LDK, ndaj dhe kjo ishte e papranueshme për kryetarin e partisë, Isa Mustafa, i cili tha se vetëm ishte njoftuar nga Kurti për shkarkimin e tij dhe nuk u konsultua nga partneri i koalicionit.

LDK i ofroi Vetëvendosjes mundësinë e qëndrimit në koalicion me kushtin që të kthehet vendimi për shkarkimin e ish-ministrit Veliu, të hiqet taksa 100% dhe t’i kërkohet falje LDK-së.

Kjo nuk u pranua nga Vetëvendosje dhe përfundimisht pas një debati të gjatë me akuza e kundërakuza, u votua mocioni i mosbesimit me 82 vota për, duke bërë qeverinë Kurti si qeverisjen më të shkurtër pas luftës.

Tregime të lidhura