Kosovë

Prokuroria Speciale ngre akuzë për 4 ish-ministra të qeverisë “Thaçi”

Përditësimi i fundit: 10/04/2020 - 16:31
Text size Aa Aa

Prokuroria Speciale e Kosovës ka ngritur aktakuzë ndaj 19 personave, përfshirë edhe ish-ministra nga koha e qeverisë “Thaçi”, nën dyshimet për kryerje të veprës penale keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar.

Aktakuza lidhet me veprimtarinë e Komisionit Qeveritar për Privatizim, anëtarë të së cilit dyshohet se kanë tejkaluar kompetencat duke aprovuar bartjen e disa hidrocentraleve tek Kompania Kosovare e Distribucionit dhe Furnizimit me Energji Elektrike dhe më pas privatizimit nga një kompania Lima-Calik.

“Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës ka ngritur sot aktakuzë pran Gjykatës Themelore në Prishtinë, Departamenti Special, kundër nëntëmbëdhjetë personave me inicialet B.B., F.H., M.K., D.G., N.R., A.Gj., F.Ç., M.R., A.N., F.K., I.I., G.J., B.B., G.Sh., N.H., A.A., B.H., K.B., dhe L.F. për veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 422 paragrafi 2, lidhur me nenin 31, të Kodit Penal të Republikës se Kosovës”, shkruan në njoftimin e Prokurorisë Speciale.

Disa nga anëtarët e Komisionit Qeveritar për Privatizim, që përkojnë me kohën bartjes së pronësisë së hidrocentraleve, dhe u përputhen inicialet me ato të personave ndaj të cilëve është ngritur aktakuzë janë: Besim Beqaj, ish-ministër i Zhvillimit Ekonomik, kryesues i KQP-së; Mimoza Kusari, ish-ministre e Tregtisë dhe Industrisë, anëtare e KQP-së; Nenad Rashiq, ish-ministër i Punës dhe Mirëqenies Sociale, anëtar i KQP-së; Dardan Gashi, ish-ministër i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor; etj.

Ndërsa, pjesë e aktakuzës dyshohet të jenë edhe ish-drejtorë edh anëtarë bordesh nga ndërmarrjet publike të përfshira në këto procese. Sipas Prokurorisë Speciale të Kosovës, dëmet e shkaktuara nga këto veprime kalojnë shifrën e dhjetëra miliona eurove.

Tregime të lidhura