Kosovë

Kërcënohet Kryeministri Albin Kurti: Duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese

Përditësimi i fundit: 19/05/2020 - 20:46
Text size Aa Aa

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, publikoi mbrëmjen e së martës një kërcënim që thotë se e ka marrë nga një grup i quajtur “Garda Vullnetare Shqiptare”, ku ai dhe drejtuesit e Lëvizjes Vetëvendosje paralajmërohen për sigurinë personale dhe familjeve të tyre. 

Në komunikatën kërcënuese, të cilën e ka denoncuar Kurti, Lëvizja Vetëvendosje etiketohet si “organizatë kriminale”, ndërsa paralajmërohet për pasojat nëse vazhdohet me planin për protesta.

“Njoftojmë udhëheqësit e kësaj organizate kriminale (LVV) se ne pjesëtarët e Gardës nuk do të qëndrojmë duarkryq duke ju shikuar nga larg. Njësitet tona do të jenë kudo që paraqitet nevoja dhe do t’i dalim në mbrojtje vendit. Albin Kurti dhe të gjithë udhëheqësit e LVV që ndihmojnë në organizmin e kësaj proteste, tanimë kanë arsye të shqetësohen për sigurinë e tyre dhe të familjarëve të tyre nga njësitet e Gardës”, shkruhet mes të tjerash në komunikatën kërcënuese të publikuar nga Kurti.

Këtë kërcënim, Kryeministri në detyrë e ka vlerësuar jo si kërcenim ndaj tij, por ndaj Gjykatës Kushtetuese.

“Kërcënimi ndaj meje nga e ashtuquajtura "Garda Vullnetare Shqiptare", në fakt, nuk është ndaj meje. Ky është kërcënim ndaj Gjykatës Kushtetuese, në veçanti, ndaj Kryetares së Gjykatës, znj. Arta Rama-Hajrizi dhe Gjyqtarit Raportues të çështjes KO 72/20, z. Nexhmi Rexhepi. Nuk ka shpjegim tjetër”, shkroi Kurti në Facebook.

Në reagimin e tij, Albin Kurti e lidh këtë kërcënim me atë që ai e quan “regjim i vjetër” dhe Presidentin e Kosovës, Hashim Thaçi, të cilin e quan “kapo të PRONTO-s”.

“Regjimi i vjetër e di se nuk ka shpresë për të. Pasi që kanë harruar sa moti e patën braktisur popullin, tash populli po ua përkujton përditë se edhe ai masivisht i ka braktisur ata. Ata janë të frikësuarit që duan të frikësojnë Gjykatën Kushtetuese dhe jo vetëm. Ata po duan t'i frikësojnë edhe ambasadorët e Quintit me destabilizim nëse kapoja i PRONTO-s, Presidenti i Republikës, e humbet rastin”, thekson më tutje ai.

Ai e mbyll reagimin e tij duke thënë se në zgjedhjet e ardhshme partia e tij do të thellojë diferencën si asnjëherë më parë në Kosovën e pasluftës.

Tregime të lidhura