Kosovë

Dekreti për qeverinë, Gjykata Kushtetuese apel të fortë Thaçit e Kurtit: Ndalni presionet

Përditësimi i fundit: 20/05/2020 - 10:20
Text size Aa Aa

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka reaguar ndaj Presidentit dhe Kryeministrit në detyrë duke i akuzuar për presion ndaj punës së saj. 

një deklaratë për mediat Gjykata Kushtetuese shprehet se po ndjek me shqetësim “diskursin politik kërcënues që po zhvillohet ditëve të fundit nga presidenti dhe kryeministri në detyrë, si dhe bartës të tjerë të funksioneve institucionale dhe politike”.

Sipas kësaj gjykate, këta zyrtarë duke akuzuar njëri-tjetrin për presion ndaj Gjykatës Kushtetuese nga pala tjetër, po mundohen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese për çështjen e dekretit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për caktimin e mandatarit për krijimin e qeverisë së re të Kosovës.

“Gjykata Kushtetuese dënon po aq ashpër edhe përfoljen e gjyqtarëve individualë, si persona që kanë autorizime apo përgjegjësi vendimmarrëse individuale në këtë çështje”, thuhet në reagimin e kësaj gjykate.

Në fund të këtij muaji, Gjykata Kushtetuese pritet të japë vendimin rreth kërkesës së Lëvizjes Vetëvendosje, për të interpretuar kushtetutshmërinë e vendimit të Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për dekretimin e Avdullah Hotit nga Lidhja Demokratike e Kosovës, për formim të qeverisë së re.