Kosovë

Letra e Koalicionit të Shoqatave Shqiptaro-Amerikane për Trump, Agon Maliqi: Të shqetësuar nga politikat e reja të SHBA në Ballkan

Përditësimi i fundit: 20/05/2020 - 13:56
Text size Aa Aa

Koalicioni i Organizatave Shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë dërguar një letër Presidentit amerikan, Donald Trump, ku i kanë shprehur shqetësimet e tyre lidhur me qasjen amerikane rreth dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Në një lidhje të drejtpërdrejtë me Euronews Albania, analisti Agon Maliqi tha se këto shoqata kanë kohë që kanë filluar të shprehin shqetësim lidhur me politikat e Trump në Ballkan. Sipas tij vihet re një qasje tjetër e administratës në Ballkan, që mesa duket ka hequr dorë nga parimi i mosndryshimit të kufijve.

“Në përpjekje për të afruar Serbinë ndaj vetes dhe për të larguar Rusinë nga rajoni, administrata e Trump ka marrë një qëndrim neutral në marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë dhe kjo ka ngjallur frikë mes ne shqiptaro-amerikanëve që mendoj se këtë presion e bëjmë dhe pse sivjet jemi në vit elektoral në SHBA, dhe është momenti për të bërë presion për të arritur disa gjëra”, tha ai.

Sipas z. Maliqi, shoqatat janë të nxitur edhe nga klima e brendshme politike në Kosovë. Duke iu referuar konfliktit të kryeministrit në detyrë Albin Kurti me të dërguarin e SHBA në Prishtinë ai tha se nuk duhet të futemi në konfrontim të drejtpërdrejtë me administratën, pasi presidenti ka rol të drejtpërdrejtë në politikën e jashtme.

“Kosova nuk e ka luksin të futet në konflikt me SHBA”, tha z. Maliqi.

Tregime të lidhura