Kosovë

LDK premton qeveri të re javën që vjen, Vjosa Osmani bojkoton mbledhjen e grupit

Përditësimi i fundit: 21/05/2020 - 22:16
Text size Aa Aa

Kandidati për kryeministër i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Avdullah Hoti u takua sot me grupin parlamentar të partisë së tij, ku u diskutua për programin qeverisës. Pas këtij takimi, doli para mediave Shefi i Grupit Parlamentar të LDK-së, Arben Gashi.

Gashi foli për formimin e Qeverisë së re, vendimin e Gjykatës Kushtetuese, dialogun me Serbinë dhe planet për rimëkëmbjen ekonomike. Ai tha se Kosova do të ketë qeverinë e re javën e ardhshme.

“Java e ardhme, unë po them java e ardhshme. Ndoshta merret sot, nesër, unë nuk e di. Jo, nuk kam informacione, por maksimalisht i ka 8 ditë Gjykata Kushtetuese dhe besoj që e jep vendimin para 8 ditëve. Vendimi del para të premtes normalisht”, u shpreh z. Gashi.

Ai tha se në momentin që merret vendimi, si shef i grupit parlamentar do ta riaktivizojë kërkesën për seancë të jashtëzakonshme, ku do të caktojë orën dhe datën dhe se kjo nuk do të zgjasë më shumë se 24 orë. Ndërsa sa i përket rimëkëmbjes ekonomike, Gashi tha se Qeveria e re do të ndajë 400 milion euro deri në vjeshtë, ndërsa kjo shifër të do të shkojë deri në 1 miliardë.

 “Ne jemi të fokusuar në rimëkëmbjen ekonomike në projektet që kanë efekt të menjëhrshëm në ekonomi. Duhen projekte me efekt të menjëhershëm në ekonomi dhe për këto projekte në në programin tonë qeverisës parashohim rreth 1 miliardë euro brenda 12 muajve që do të investohen në ekonomi dhe 400 milion deri në vjeshtë”, ka deklaruar kreu i grupit të LDK-së.

I pyetur për rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, shefi i deputetëve të LDK-së tha se ky është ndër tre prioritetet e Qeverisë Hoti. “Njëra prej tri shtyllave kryesore është dialogu dhe çdo qeveri e ka për detyrë që të përfaqësojë vendin e vet në të gjitha institucionet ndërkombëtare dhe njëra prej prioriteteve është dialogu”, tha z. Gashi.

Po ashtu, Gashi tha se në këtë ka qenë e ftuar dhe Vjosa Osmani, si deputete e LDK-së, por ajo nuk ka qenë prezent.

Tregime të lidhura