Kosovë

Vendimi për dekretin e Presidentit, afron fundi i masës së përkohshme, rritet presioni mbi Gjykatën Kushtetuese

Përditësimi i fundit: 21/05/2020 - 09:02
Text size Aa Aa

Edhe tetë ditë kanë mbetur deri në përfundimin e masës së përkohshme të pezullimit që Gjykata Kushtetuese e Kosovës i ka vënë dekretit të Presidentit, Hashim Thaçi, me të cilin ai mandatoi për kryeministër të ri Avdullah Hotin e Lidhjes Demokratike.

Derisa 29 maji po afrohet, presioni ndaj Gjykatës Kushtetuese sa vjen e shtohet nga aktorët kryesorë politikë të përfshirë si palë në këtë çështje.

Mbrëmjen e së martës, Kushtetuesja reagoi duke shprehur shqetësimet e saj “mbi diskursin publik kërcënues ndërmjet Presidentit dhe Kryeministrit në detyrë”, të cilët, sipas Gjykatës, “po përpiqen të ndikojnë apo paragjykojnë vendimmarrjen” e saj.

Deklarimet e Presidentit Thaçi, dhe Kryeministrit në detyrë, Kurti, Gjykata Kushtetuese i konsideron si ndërhyrje në pavarësinë e saj institucionale, duke u zotuar se përkundër kësaj do të veprojë paanshëm dhe se “nuk do t’i nënshtrohet presioneve dhe kërcënimeve”.

Ndërkohë, duke folur për kërcënimin që ka marrë, Kurti, sërish tha se ai nuk është vetëm ndaj tij por edhe ndaj Kushtetueses.

“Ata që më kanë kërcënuar mua, nuk mund ta kenë pasur me mua, për shkak se ata e dinë se tek unë nuk funksionojnë kërcënimet. Ata e kanë pasur me dikë tjetër, e kanë pasur me Gjykatën Kushtetuese, sepse duket se është në panik presidenti, të cilit po i humbet rasti...Unë dua që Gjykata Kushtetuese të lihet e qetë, të mos ketë këso kërcënimesh as ndaj kryeministrit e as ndaj kujtdo tjetër, dhe me profesionalizëm e paanshmëri ta sjellin vendimin e drejtë dhe meritor”, tha Kurti.

Betim Musliu nga Instituti i Kosovës për Drejtësi vlerëson se presionet ndaj Gjykatës Kushtetuese janë të papranueshme, dhe se ato duhet të ndalen dhe dënohen.

“Kjo është në tërësi e papranueshme dhe bie ndesh me krejt parimet e sundimit të ligjit dhe në këtë rast kjo nuk është një praktikë e re. Kemi pasur presione edhe kërcënime të ngjashme edhe në vitin 2014 edhe në vitin 2017 dhe kjo duhet të ndalet, sepse Gjykata Kushtetuese është institucion i pavarur, i cili është i vetmi institucion që e siguron kushtetutshmërinë dhe ligjshmërinë në vend. Prandaj, krejt këto forma të presionit dhe kërcënimeve duhet të ndalen dhe duhet të dënohen. Politikanët janë ata që duhet të deklarohen publikisht se do të respektojnë secilin vendim që vjen nga Gjykata Kushtetuese dhe të kundërtën nuk duhet të veprojnë siç kanë vepruar, sepse kjo po dëshmon që elita jonë politike është tërësisht e papjekur”, tha Musliu.

Ndërkohë, Florent Spahija nga Instituti Demokratik i Kosovës beson se çdo deklaratë e aktorëve politikë për vendimmarrjen e Gjykatës Kushtetuese lidhur me dekretin e presidentit mund të konsiderohet si presion.

“Çdo deklaratë tashmë mund të konsiderohet si e tillë, po në një shtet normal në demokraci të avancuara palët nuk është se flasin për vendimet e Kushtetutës, po me qenë demokraci e re dhe fragjile kisha me thënë që çdo postim ose çdo mesazh që i drejtohet Gjykatës Kushtetuese mund të merret si mundësi ndikimi tek ata”, theksoi Spahija.

Më 1 maj, Gjykata Kushtetuese e Kosovës vendosi masë të përkohshme pezullimi të dekretit të presidentit Thaçi për mandatimin e Avdullah Hotit për formimin e Qeverisë së re, pas rrëzimit të “Qeverisë Kurti” më 25 mars.