Kosovë

Politologu Spahiu: Anëtarët e Gjykatës Kushtetuese ''shërbëtorë'' të Thaçit

Përditësimi i fundit: 22/05/2020 - 17:00
Text size Aa Aa

Gjykata Kushtetuese e Kosovës pritet që të shprehet brenda kësaj jave lidhur me dekretin e Presidentit, Hashim Thaçi që i hap rrugë formimit të një qeverie të re pa Vetëvendosjen.

Ndërkohë që ende nuk ka ndonjë vendim zyrtar, të shumta janë aludimet në media se një pjesë e trupës së gjyqtarëve janë në favor të Thaçit.

Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, duke komentuar aktvendimin e pritshëm tha se do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa është interpretim i Kushtetutës.

Politologu, Nexhmedin Spahiu në një interviste për Euronews Albania u shpreh se, Gjykata Kushtetuese ka dëshmuar deri tani se nuk ka integritet profesional dhe moral duke shprehur bindje se vendimi do të jetë na favor të Thaçit.

Ai tha se, shumica e tetë anëtarëve të saj janë caktuar në atë gjykatë nga pushteti i deritanishëm dhe se vendimi i saj veçse dihet se do të jetë në favor të Presidentit.

“Shumica e tyre u kanë shërbyer politikave të Hashim Thaçit dhe vendimi është i ditur. Nuk është hera e para që Gjykata Kushtetuese vepron në këtë mënyrë. Ka dhënë vendimi kundër Kushtetutës në shkarkimin e presidentit Sejdiu dhe Pacolli. Vendim të padrejtë ka dhënë në vitin 2014 kur i leverdiste Thaçit. Tani do të japë vendim të kundërt me atë të vitit 2014 vetëm se i intereson Thaçit”, deklaroi z. Spahiu.

Presidenti Thaçi, pas rrëzimit të qeverisë Kurti, dekretoi kandidatin e LDK-së për kryeministër, Avdullah Hotin. Por ishte gjykata Kushtetuese e cila pezulloi përkohësisht zbatimin e dekretit deri më datë 29 maj. 

Tregime të lidhura