Kosovë

Biberaj: Lajm i mirë shtyrja e takimit në Uashington. Dy burimet nga mund të ketë dalë aktakuza ndaj Thaçit

Përditësimi i fundit: 26/06/2020 - 08:18
Text size Aa Aa

Aleksandër Biberaj, ish-zv/president i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës tha për Euronews Albania se aktakuza e Zyrës së Prokurorit të Specializuar është mbështetur në librin e Karla del Pontes, që nuk ka asnjë gjë të vërtetuar dhe mbështetet vetëm mbi fjalë gazetarësh.

Por pavarësisht të gjithave, për z. Biberaj shtyrja e takimit të Uashingtonit më 27 qershor është lajm i mirë, pasi sipas tij ai po mbahej në mungesë të plotë të informacionit dhe transparencës, duke shtuar dyshimet për një marrëveshje të mundshme ku mund të diskutohej shkëmbim territoresh.

“Për Kosovën nga njëra anë kemi një imazh të prishur në skenën politike ndërkombëtare, por takimi i 27 qershorit nuk ishte transparent dhe ishte i shpejtuar, ka qenë i mbështjellë me një tis për shkëmbime të territorit. Ka pasur edhe një element tjetër negativ pasi ka pasur një shkëputje nga BE. Kosova nuk mund të kuptohet pa BE, pasi është pjesë e Evropës”, tha ai.

Sipas z. Biberaj, dalja e kësaj aktpadie tri ditë para takimit në Uashington nuk është e rastësishme.

"Kjo që ndodhi është edhe një reagim edhe politik. Ka dy hipoteza nga ku mund të ketë dalë kjo aktakuzë; mund të ketë ardhur nga SHBA, pasi një prokuror i zgjedhur vetëm para dy vitesh nuk mund të jetë edhe aq i pavarur nga administrata. Kujtojmë që vetëm pak ditë më parë Vuçiç u takua me Putin, dhe nuk mund të jesh në Moskë e pas dy ditësh në Uashington.

Mund të ketë ardhur edhe nga BE, sepse e ndjeu veten të lënë pas dore. Takimi në SHBA ishte jotransparent, i veshur me mister. Por pavarësisht të gjithave shtyrja e takimit të Uashingtonit ishte pozitive", tha z. Biberaj.

Tregime të lidhura