Kosovë

Djali i Fadil Vokrrit në mbrojtje të Thaçit: Të bashkohemi përtej dallimeve, po cenohet Kosova

Përditësimi i fundit: 28/06/2020 - 14:30
Text size Aa Aa

​Akuzat e ngritura nga Zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë në adresë të presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK-së Kadri Veseli kanë shkaktuar një sërë reagimesh.

Politikanë të ndryshëm në Kosovë dhe jashtë saj, por edhe ish-veteranë të luftës e kanë cilësuar këtë aktakuzë të padrejtë, pasi sipas tyre, lufta e UÇK-së kundër agresionit të Ish-Jugosllavisë ka qenë e drejtë. Për këto akuza ka reaguar edhe djali i legjendës së futbollit kosovar, Fadil Vokrri, Gramoz Vokrri.

Djali i legjendës kosovare ka ftuar të gjithë shqiptarët që t’i lënë mënjanë dallimet partiake e të bashkohen, pasi siç thotë ai, sot po cenohet shteti i Kosovës. Ai shton se sot më shumë se kurrë solidariteti duhet të jetë arma më e fortë e qytetarëve.

“Çdo sukses i shtetit tonë u arrit mbi vullnetin, unitetin, sakrificën dhe solidaritetin...Përtej përkatësive politike, ngjyrave partiake apo individëve, sot po cenohet shteti jonë. Ashtu si në fushat e blerta, ku solidariteti ka qenë arma jonë më e fortë, le të jemi të tillë edhe karshi kësaj sfide për shtetin tonë”, shkruan ai,

Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, ka njoftuar se sot do të ketë një mesazh nga zyra e tij drejtuar qytetarëve të Kosovës. Kreu i shtetit nuk ka specifikuar detaje se çfarë vendimi do të ndërmarrë pas ngritjes së aktakuzës për krime lufte dhe krime kundër njerizimit nga Zyra e Prokurorisë Speciale në Hagë.

Pas akuzave në adresë të Thaçit, analistët dhe njohësit politikë janë të ndarë në qëndrimet e tyre. Një pjesë janë shprehur se pas kësaj z. Thaçi duhet të japë menjëherë dorëheqjen, ndërsa të tjerë janë të mendimit se presidenti i Kosovës nuk ka arsye të heqë dorë nga posti. Gjithsesi, kjo dilemë e krijuar në opinionin publik pritet të sqarohet nga vetë Thaçi, gjatë komunikimit që pritet të mbajë sot në mbrëmje.

Lexoni gjithashtu: 

Prokuroria Speciale e Kosovës akuzon Thaçin dhe Veselin si përgjegjës për 100 vrasje

Akuzat ndaj Thaçit për krime lufte, Meta: Besojmë në pafajësinë e luftëtarëve të UÇK-së

Hashim Thaçi anulon pjesëmarrjen në takimin për dialogun në Shtëpinë e Bardhë