Kosovë

Hashim Thaçi beson në pafajësi: S'kam bërë krime, jap dorëheqje nëse konfirmohet aktakuza

Përditësimi i fundit: 29/06/2020 - 20:14
Text size Aa Aa

Presidenti i Republikës së Kosovë, Hashim Thaçi, iu është drejtuar qytetarëve me një mesazh nga zyra e tij, pas akuzave të ngritura nga Zyra e Prokurorisë Speciale për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit.

Ai tha se zemra e tij është  e lënduar, por jo e thyer. Kreu i shtetit të Kosovës, u shpreh i bindur se ashtu si shumë bashkëluftëtarë të tjerë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ai dhe kreu i PDK-së, Kadri Veseli do të dëshmojnë pafajësinë e tyre.

“Zemra ime është e lënduar, por jo e thyer. Mendja ime është e rënduar, por jo e turbulluar. Gjaku im është i nxehur, por i pastër dhe i njëjtësuar me gjakun e bashkëluftëtarëve që humba në luftë. Është i njëjtë me gjakun e atyre që më kanë dashur e më kanë mbështetur pa kursim në këtë rrugëtim për liri dhe shtetndërtim. E në këto çaste edhe me gjakun e atyre që më kanë kundërshtuar, më kanë paragjykuar apo gjykuar ndryshe nga çfarë unë do të dëshiroja.
Ndjehem sot, si asnjëherë më parë, krejt i çliruar prej brengave dhe peshës së ballafaqimeve politike. Këto brenga nganjëherë kanë marrë përmasa më të mëdha se sa që e kanë merituar.
Kanë mjegulluar në sytë tuaj faktin e thjeshtë se jemi të gjithë bij e bija të kësaj toke dhe të gjithë e duam më të mirën për atdheun tonë, Kosovën. Por, politika i ka edhe këto. Është krejt e natyrshme që në këtë moment jo të lehtë për mua, më janë kujtuar ata që kanë dhënë jetën për liri.

Të tjerë që i kam njohur gjatë rrugës time të gjatë, nga koha kur isha një djalë idealist që doja të ndryshoja botën, e deri tek e sotmja me thinja të bardha. Kam kujtuar momente historike e momente krejt personale. Kam menduar për prindërit e mi, gjyshërit, familjen dhe djalin tim, Endritin. Ai që sot është bërë burrë e mund ta shoh në sy pa mu dridhur qerpiku lidhur me gjoja nisjen e një procesi për krime lufte! E kam kuptuar shumë herët se ne, luftëtarët e UÇK-së, do të paguanim një çmim të madhe njerëzor, familjar e politik. Ky është çmimi për lirinë e Kosovës.

Është e drejtë që duhet të zbardhet çdo pretendim e çdo akuzë për krime lufte, prej kujtdo dhe kudo që ka ndodh. Bashkëluftëtarët e mi, me disa prej të cilëve paqja na ka ndarë shpesh në taborë të ndryshëm politikë, i kanë sfiduar me forcën e madhe të së vërtetës shumë fabrikime të ulëta dhe në fund pafajësia e tyre ka shkëlqyer mbi plehun e akuzave monstruoze. Njëjtë do të jetë edhe me mua dhe me vëllain tim nga gjaku i luftës, Kadri Veseli.”, tha ai.

Mes tjerash, z. Thaçi u shpreh se nëse akuzat konfirmohen ai është i gatshëm të japë dorëheqje nga posti i Presidentit të Kosovës. Gjatë fjalës së tij, Thaçi shtoi se gjatë ditëve të ardhshme do të konsultohet intensivisht me liderët politikë në Kosovë, por nuk specifikoi detaje se çfarë do të pasojë ky qëndrim i tij.

“Ajo komunikatë hodhi në erë dhe pamundësoi takimin shumë të rëndësishëm në Shtëpinë e Bardhë, duke i dhënë goditje të fortë mundësisë së arritjes së paqes Kosovë-Serbi. Prandaj apeli me të cilin dua ta mbyll ketë mesazh sonte është: Kosova duhet të sigurojë funksionimin stabil të institucioneve shtetërore, në çdo rrethanë.

Në këtë kapitull të ri e të vështirë vetëm të bashkuar mund të ecim përpara, si në rrafshin kombëtar, ashtu edhe në atë ndërkombëtar. Ditëve në vijim do të konsultohem me liderët politikë për hapat e mëtejshëm. Ju siguroj edhe një herë, me drejtësinë nuk do të përballem nga kjo zyrë. Nëse aktakuza konfirmohet, unë menjëherë do të jap dorëheqje si President i juaji dhe do të përballem me akuzat.

Kosova është shtet i ri, por udhëheqësit e saj duhet të sillen si burrështetas të vërtetë. Do ta mbaj këtë barrë dhe ta mbroj veten time, luftën tonë për liri, me çdo forcë që kam.
Nuk do të lejoj që këto akuza false të zhvendosin vëmendjen e Kosovës nga marrja e vendit që meriton në bashkësinë ndërkombëtare, si anëtare e Kombeve të Bashkuara, NATO-s dhe Bashkimit Evropian”, tha ai

Ai shtoi se gabime politike në paqe mund të ketë bërë, por i mohoi dhe hodhi poshtë kategorikisht akuzat për krime lufte. Duke shprehur bindjen në pafajësinë e tij dhe të kreut të PDK-së, z.Thaçi tha se gjatë jetës së tij ka shkelur një ligj dhe ai sipas tij është ligji i Sllobodan Millosheviçit.

“Por, një gjë është e sigurt: nuk ka pasur dhe nuk mund të ketë qoftë edhe një provë të vetme në adresën e Hashim Thaçit për shkelje të ndonjë ligji. Ligji i vetëm që kam shkelur është ai i Millosheviçit. Gabime politike në paqe mund të kem bërë, por krime lufte asnjëherë! Edhe po të kthehesha mbrapa, në kohën e zezë të Sllobodan Millosheviçit, do të bëja të njëjtën gjë, duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etjes për liri dhe duke mos i hyrë kurrë në hak asnjë qytetari serb, rom apo shqiptar”, tha Thaçi.