Kosovë

Rama vizitë dyditore në Kosovë, temë e takimeve dialogu dhe situata politike pas akuzave ndaj Thaçit

Përditësimi i fundit: 29/06/2020 - 08:38
Text size Aa Aa

Kryeministri Edi Rama nis sot një vizitë dyditore në Kosovë, vizitë e njoftuar jozyrtarisht vetëm mbrëmjen e së dielës.

Burime jozyrtare për gazetaren e Euronews Albania, Erjonë Popova, kanë bërë me dije se Rama pritet të zhvillojë takime me udhëheqës të partive politike dhe drejtues të lartë të institucioneve, si kryeministri Avdullah Hoti, kryeparlamentarja Vjosa Osmani dhe presidenti Hashim Thaçi.

“Rama do të takohet fillimisht me kreun e Nismës, Fatmir Limajn, më pas në orën 15:00 do të takohet me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin, kryeministrin Avdullah Hoti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe më pas në fund, përpara deklaratës për shtyp të Thaçit, të takohet me të,” – u shpreh Popova, teksa shtoi se të nesërmen parashikohen takime me Isa Mustafën, Albin Kurtin e Behgjet Pacollin, ndërsa mbetet i pakonfirmuar takimi me Haradinajn.

“Nuk dihet saktë nëse do të ndodhë takimi me Haradinajn, pasi me këtë të fundit ka një padi ligjore,” – saktësoi gazetarja e Euronews Albania ndërsa shtoi se takim do të zhvillohet edhe me kryetarin e Komunës së Prishtinës, Shpend Ahmetin.

“Mendohet se vizita dyditore bëhet në spektrin politik për të arritur konsensus për situatën e re ku Thaçi e Veseli po përballen me akuza nga Gjykata Speciale,” – tha gazetarja teksa kujtoi se akuzat e njoftuara javën e shkuar, nuk janë zyrtarizuar ende.

“Akuzat, e dorëzuara në muajin prill, nuk e kanë marrë ende dritën e gjelbër në dhomat e specializuara në Hagë,” – u shpreh gazetarja e Euronews Albania.

Thaçi, i cili ende nuk ka bërë një deklaratë publike për sa i përket qëndrimit që do të mbajë përballë akuzave, ka shtyrë për mbrëmjen e së hënës deklaratën për shtyp të thirrur më herët gjatë fundjavës.

Të enjten, kryeministri i Shqipërisë mbajti një fjalim të gjatë në parlament, ku lavdëroi lartë udhëheqësit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i cilësoi akuzat si "baltë ndaj krejt shqiptarisë".

Vizita e Ramës vjen në një kohë kur javën e shkuar ishte parashikuar të zhvillohej në Shtëpinë e Bardhë një takim mes përfaqësuesve të lartë të Kosovës dhe Serbisë, mirëpo akuzat e ngritura ndaj Thaçit bënë që ky takim të shtyhej.

Gjatë javës së shkuar, ministri i Jashtëm në detyrë, Gent Cakaj, ishte në Uashington ku zhvilloi takime me përfaqësuesin e posaçëm për dialogun, Richard Grenell, dhe dy përfaqësuesit e lartë të politikës së jashtme amerikane për rajonin, Philip Reeker dhe Matthew Palmer.

Vizita e Ramës në Prishtinë lë të kuptohet se temë e diskutimeve do të jetë medoemos edhe çështja e dialogut.

 

Lexoni gjithashtu:

Akuzat e Speciales për krime lufte, Hashim Thaçi jep tjetër mesazh nga vendlindja e tij

Akuzat për Thaçin e Veselin, Rama: Po hidhet baltë në krejt shqiptarinë, Serbia ishte agresori

Pacolli thirrje Metës dhe Ramës: Mblidhni në një tryezë faktorin shqiptar

Cakaj takime me Reeker dhe Palmer: Marrëdhëniet Shqipëri-SHBA të patjetërsueshme

Cakaj takon Grenell në Uashington: S’ka plane për ndarjen e Kosovës

Tregime të lidhura