Kosovë

“Fletërrufeja” për Thaçin e Veselin, Kushtrim Palushi: Prokuroria gaboi me aktakuzën, s'kishte të drejtë ta publikonte

Përditësimi i fundit: 30/06/2020 - 14:01
Text size Aa Aa

Zhvillimet politike në Kosovë priten me interes të madh, sidomos pas publikimit të aktakuzës së Prokurorisë Speciale për krime lufte në adresë të presidentit Thaçi dhe kreut të PDK-së, Kadri Veselit.

Euronews Albania zhvilloi një bisedë me ekspertin ligjor, Kushtrim Palushi, i cili tha se prokuroria ka shkelur rregullat duke publikuar një akuzë që nuk është konfirmuar ende nga Gjykata Speciale.

“Gjykata Speciale ka një afat kohor 6 mujor nga data e dorëzimit të aktakuzës që është  24 prill 2020, deri kur ajo duhet të konfirmojë apo ta hedhë poshtë atë dhe duke qene se tani kanë kaluar dy muaj, gjykatës i mbetet një afat edhe katër muaj për aktakuzën e ngritur ndaj Thaçit.

Duket qartazi që ka pasur një ndërlidhje mes publikimit të këtij lajmi dhe takimit që do të ndodhte në Uashington. Kjo është e qartë për arsye se,  rregullat e procedurave mbi bazë të cilave funksionon Gjykata Speciale, nuk i lejojnë prokurorit që të bëjë publik lajmi që ka ngritur një aktakuzë përderisa ajo nuk konfirmohet. Prokuroria nuk ka pasur të drejtë të publikoje lajmin. Puvbilimi i saj para se të konfirmohet ka rrezik që të ndikojë në të drejtat e të akuzuarit. Rregullat e procedurës theksojnë se “përderisa akuza nuk konfirmohet, personi nuk konsiderohet ende i akuzuar që nënkupton se ajo ka gjasë që mos të konfirmohet”, tha ai.

Ai tha se në diskutimet e paqes Prishtinë-Beograd mund të përfshijnë shumë çështje, por shtoi se çështja e amnistisë nuk mund të shtrohej në tryezën e dialogut, pa pasur "bekimin"  dhe konsensusin e familjarëve të viktimave të luftës së Kosovës.

“Në diskutimet për paqe, që i tillë është edhe dialogu mes Kosovës dhe Serbisë, sigurisht që mund të bëhen kompromise të tilla në dëm të drejtësisë, ku sakrifikohet drejtësia dhe garantohen amnisti të ndryshme apo bëhen marrëveshje të ndryshme në dëm të drejtësisë. Sigurisht se ka pasur ide dhe teori të ndryshe, sipas të cilave  ka qenë se do të diskutohej një lloj amnistie apo shfuqizimi i Gjykatës Speciale, apo e njëjta nuk do të përfshijë liderët politikë në çështjen e aktakuzave. Por, për aq sa nuk ka ndonjë konfirmim, mbesin vetëm teori konspirative.  Se nëse ka qenë temë diskutim çështja e amnistive për krimet e supozuara që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë, atëherë nuk mund të këtë amnisti të njëanshme ose vetëm për përfaqësuesit e UÇK, dhe të mos ketë amnisti  për palën tjetër. Prandaj, çfarëdo ideje e tillë nëse ka ekzistuar është shumë e rrezikshme sidomos për mbi 10 mijë viktima civile të luftës, nga të dyja anët, si nga populli shqiptar ashtu edhe nga ana e popujve të tjerë që kanë jetuar në Kosovë. Një gjë e tillë do të ishte e rrezikshme nëse do bëhej pa miratimin dhe pa pajtimin e familjarëve të viktimave”, tha ai.

Por, si e sheh idenë e amendimit të ligjit të Gjykatës Speciale, eksperti jep këtë përgjigje: “Çfarëdo lëvizje në tentimin të plotësimit të ligjit që themelon Gjykatën Speciale, do të shihet si tendencioze me qëllim pengimin e saj. Çfarëdo tentimi i tillë do të ishte gabim dhe nuk do duhej të veprohet në atë drejtim”, shtoi ai.