Kosovë

Në kërkim të drejtësisë, të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë kërkojnë të përfshihen në dialog

Përditësimi i fundit: 29/07/2020 - 18:03
Text size Aa Aa

Të mbijetuarit e dhunës seksuale në Kosovë kanë pak shpresa se një ditë shteti serb do të pranojë krimet e kryera gjatë luftës ndaj më shumë se 20 mijë kosovarëve. Përfaqësues të organizatave të të mbijetuarve të dhunës seksuale këmbëngulin që në tryezën e bisedimeve me Serbinë, Kosova të përfaqësohet edhe nga kjo pjesë e dëmtuar e shoqërisë, në të kundërtën, nuk duhet të arrihet asnjë marrëveshje me dhunuesin. Ata kërkojnë nga Kryeministri Hoti ta marrë në konsideratë kërkesën e tyre.

Drejtoresha e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës, Feride Rushiti thotë se prapa viktimave fshihen me mijëra familje që për më shumë se dy dekada kërkojnë drejtësinë e mohuar.

 “Prapa atyre 20 mijave fshihen edhe mijëra familjarë të cilët edhe sot rënkojnë për fatin e tyre. Edhe sot nuk ka drejtësi për kriminelët të cilat e kanë ushtruar këtë krim gjatë luftës. Prandaj mendojmë që dialogu është i mangët vetëm me adresim e disa grupeve, ndërsa të mbijetuarat e dhunës seksuale të luftës nuk paraqiten ose nuk diskutohen se si të procesohet me to”, theksoi Feride Rushiti. 

Gratë e dhunuara kërkojnë nga delegacioni i Kosovës që të mos nënshkruajë marrëveshje me Serbinë, pa u njohur faktet dhe rrëfimet e viktimave të dhunës seksual.

“Fatkeqësisht që 20 vjet këto gra kanë kërkuar drejtësi por fatkeqësisht deri më tani nuk kemi gjetur drejtësi. Edhe kërkojmë që të kemi drejtësi, por nuk guxojmë asnjëherë të kemi dialog me Serbinë pa u përmendur këto krime të luftës të cilat janë bërë që 20 vjet lëndojnë, me lot, rënkim, por mbi të gjitha kanë gjetur forcë për të mbijetuar”, tha Kadire Tahiraj, drejtoreshë e qendrës për "Promovimin e të Drejtave në Drenas". 

Vasfije Krasniqi Goodman, është gruaja e parë që rrëfeu publikisht për këto krime. Vëllai i saj, Nafi Krasniqi vazhdon të kërkojë për motrën , e cila ishte vetëm 16-vjeçare kur u morr e u dhunua nga ushtarët serbë.

Krasniqi, që është edhe drejtor i organizatës "Drejtësi për të gjithë", thotë se pala kosovare duhet të ketë një platformë shumë serioze kur flitet për krimet dhe dëmet e luftës që kanë bërë serbët në Kosovë. 

"Ne besojmë se pala kosovare patjetër duhet të përfshijë në kuadër të negociatave të kësaj platforme për të negociuar me Serbinë, edhe dhunimet seksuale. Për shkak se në Kosovë sipas numrit që është nxjerrë nga organizatat e huaja thuhet se janë përafërsisht 20 mijë të dhunuar. Flasim për 20 mijë familje të prekura direkt dhe indirekt nga dhunimet, ku numri i të prekurve indirekt është shumë më i madh. Ku konsiderojmë se pakënaqësia është akumuluar aq shumë dhe gjithmonë është pakënaqësi që ka shumë elemente që na bëjnë neve te ndjehemi keq. Një prej tyre është edhe drejtësia”,  shtoi ai. 

Ndërkohë në takimin që është planifikuar të mbahet të enjten ndërmjet delegacioneve të Kosovës dhe Serbisë, ne Bruksel, do të hartohet drafti i marrëveshjes finale për çështjen e personave të pagjetur.