Kosovë

Autoritetet kosovare gjobisin mijëra qytetarë për mosmbajtje të maskës

Përditësimi i fundit: 31/07/2020 - 08:22
Text size Aa Aa

Mijëra qytetarë të Kosovës janë gjobitur për mosmbajtje të maskës që kur Qeveria e Kosovës, në fillim të muajit korrik, e bëri të detyrueshme mbajtjen e saj, si masë mbrojtëse ndaj COVID-19.

Në një përgjigje për Euronews Albania, Policia e Kosovës ka konfirmuar se për shkelje të tilla i ka përcjellë Inspektoratit Sanitar, si organ kompetent për gjobëvënie, rreth 6700 fletëparaqitje për kundërvajtje nga qytetarët.

“Nga vendimi i Qeveris së RKS me nr.01/10 i datës 05.07.2020 Policia e Kosovës në bazë të kompetencave që ua lejojnë legjislacioni në fuqi, i ka ofruar Inspektoratit Sanitar 6689 fletëparaqitje lidhje me kundërvajtësit të cilët nuk i kanë respektuar vendimet e Qeverisë së RKS-ës për vendosjen e maskave dhe mbajtjen e distancës, për të cilat Inspektorati Sanitar do të fillojë procedurën kundërvajtëse”, njoftoi Policia.

Po ashtu, gjatë kësaj periudhe, për shkak të dyshimeve për kryerje të veprave penale, përhapje e sëmundjeve ngjitëse dhe mosveprim sipas dispozitave shëndetësore gjatë epidemisë, Policia ka hapur procedurë penale ndaj 111 personave, 23 prej të cilëve janë arrestuar dhe 10 të tjerë janë ndaluar për 48 orë.

Ndërkohë, në Inspektoratin Sanitar thonë gjoba shërben si proces i vetëdijesimit dhe edukimit shëndetësor të qytetarëve, në kuadër të zbatimit të ligjit për parandalimin e sëmundjeve ngjitëse dhe vendimeve të Qeverisë.

Kryeinspektori sanitar Ibrahim Tërshnjaku tregon se vetëm në një periudhe tetëditore, gjatë këtij muaji, inspektorati ka prerë më shumë se 900 gjoba për qytetarët.

“Inspektorati sanitar, që nga data 15, një raport i shkurtë, deri më datën 23, kemi kryer 3753 kontrolle; Kemi shqiptuar për personat fizik 917 gjoba; Kemi mbyllur 105 subjekte dhe kemi shqiptuar gjoba për këto subjekte, të cilat nuk i kanë respektuar masat e Qeverisë; Kemi lëshuar vendime për izolim për personat e infektuar me COVID19, 775 persona. Po flas për këtë periudhë kohore sepse kemi një numër edhe më të madh deri më tani; Kemi lëshuar 259 vendime për daje nga izolimi dhe kemi mbikëqyrur 79 varrime, procedurat e varrimit të cilat janë obligative, me kusht që të përmbyllet cikli i mbikëqyrjes”, tha ai.

Teksa shprehet i shqetësuar me numrin e qytetarëve që nuk besojnë ekzistencën e virusit, në anën tjetër kryeinspektori vlerëson se ka edhe rritje vetëdijesimit lidhur me bartjen e maskës.

“Nuk kemi lënë asnjë subjekt dhe asnjë kategori të pakontrolluar, edhe pse po shohim se një masë e konsiderueshme e qytetarëve të cilët ende nuk besojnë që ka COVID kemi vështirësi.

Tani në qytetet e Kosovës respektimi i vendosjes së maskave thuajse është vërtetë në nivelin e duhur, qytetarët e kanë kuptuar seriozisht vendosjen e maskës, mbajtjen e distancës, respektimin e orarit të punës së subjekteve afariste. D

he, po shohim një masë të shtuar të vetëdijesimit, të edukimit shëndetësor, sepse qytetari do të edukohet gjithmonë në përputhje me masën e gjobës që do të merr, por edhe me edukimin që do të rrjedh si pasojë e profesionistëve shëndetësor dhe posaçërisht mediave”, shtoi Tërshnjaku.

Ndërkohë, nga 15 marsi, Policia e Kosovës lidhur me shkeljen e dispozitave shëndetësore gjatë pandemisë ka hapur procedurë penale ndaj 2559 personave, 1094 prej të cilëve janë arrestuar e më pas liruar në procedurë të rregullt.

Në mungesë të ligjit anti-COVID, Policia e Kosovës është e kufizuar në mandatin e saj për shqiptim të gjobave ndaj shkelësve të vendimeve qeveritare dhe dispozitave shëndetësore.

Tregime të lidhura