Kosovë

Shërohet Isa Mustafa, 3 javë më parë u infektua nga COVID-19

Përditësimi i fundit: 01/08/2020 - 11:02
Text size Aa Aa

Pas 3 javësh i infektuar me COVID-19, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Isa Mustafa ka mundur të shërohet.

Lajmin e ka njoftuar vetë përmes një postimi në Facebook.

“Miq të nderuar, dua të ndaj me ju lajmin se kam rezultuar negativ, pas përballjes me Covid-19. Kam nderin të falënderoj gjithë ata që janë lutur për shëndetin tim,” – shkroi Mustafa në Facebook, duke rreshtuar më tej në falënderim familjen, mjekët, bashkëpunëtorët, kolegët e tij si dhe politikanë të ndryshëm të Shqipërisë, Maqedonisë së Veriut, Shteteve të Bashkuara, Britanisë, Italisë dhe Zvicrës.

Mustafa, 69 vjeç, u raportua të ishte infektuar me COVID-19 më 10 korrik. Përveç mesazheve mbështetëse, në rrjetet sociale qarkulluan edhe postime, të cilat i uronin atij vdekjen.

Mirëpo pavarësisht shqetësimeve nga këto postime, kreu i LDK-së i kushtoi një urim të përzemërt edhe atyre.

“Miq të nderuar, kishte edhe të tillë që i duartrokitën sëmundjes sime, e që uruan vdekjen time. Pati të sojit që sajuan varrimin tim virtual në rrjetet sociale e ma tmerruan një pjesë të familjes, e cila nuk ishte në rrjedhë se çfarë ka ndodhur dhe çfarë po ndodhë. Edhe këtyre iu uroj shëndet; fëmijëve dhe familjeve të tyre! Fati ynë është që tjetërkush vendosë për jetën tonë, ndërsa me disa merret drejtësia,” – theksoi Mustafa.

Kreu i LDK-së, përfitoi nga përvoja personale për të dhënë si mesazh për qytetarët respektimin e rregullave.

“Covid-19 po bënë të veten, por ne duhet ta bëjmë tonën, të respektojmë rregullat që kërkohen nga institucionet shëndetësore. Uroj që ata që janë prekur me Covid-19 të shërohen sa më shpejtë, kurse me dhembje të thellë u shpreh ngushëllime të gjitha familjarëve që humbën të afërmit e tyre,” – u shpreh Mustafa.

Përveç Mustafës, ndër udhëheqësit kryesorë të politikës në Kosovë, i infektuar me COVID-19 ka rezultuar edhe Kadri Veseli.

Prej nisjes së pandemisë, autoritetet shëndetësore në Kosovë kanë diagnostikuar mbi 8,300 raste me COVID-19, ku rreth 4,500 kanë mundur të shërohen, 227 nuk ia kanë ndalë mbanë ndërsa 3,500 të tjerë janë ende mbartës të virusit.

Lexoni gjithashtu:

Kadri Veseli rezulton pozitiv me COVID-19

Bilanc i zymtë në Kosovë, 31 viktima në dy ditë nga COVID-19

Kosova miraton 28 masa të reja kundër COVID-19, ndalohen ceremonitë fetare, kufizohen aktivitetet dhe lëvizjet

Tregime të lidhura