Kosovë

Infermierët e Kosovës në protestë, dorëzojnë para qeverisë përparëset duke kërkuar pagesë më të lartë për turnin e natës

Përditësimi i fundit: 03/08/2020 - 12:08
Text size Aa Aa

Një grup infermierësh dhe mamish në Prishtinë dorëzuan në mënyrë simbolike përparëset e tyre të punës në shenjë proteste. Ata protestuan para qeverisë së Kosovës për të kërkuar që turni i natës të paguhet 36 euro nga 18 euro që paguhet aktualisht. 

Fitim Havolli nga Sindikata e Infermierëve, Mamive dhe Profesionistëve të tjerë tha se në këtë kohë pandemie po kërkojnë që qeveria e Kosovës ta kthejë kokën dhe me prioritet t’i trajtojnë kërkesat e këtij komuniteti shëndetësor.

Havolli tha se infermierët dhe mamitë që janë në vijë të parë të frontit me pacientët që janë të prekur me COVID19 po kërkojnë që pagesa e ndërrimit të natës të dyfishohet.

“Kërkesat tona me kohë janë bërë të ditura nëpër institucionet relevante qoftë në SHSKUK, ministri të Shëndetësisë, dhe tani jemi këtu për tu bërë thirrje edhe njëherë qeverisë së Republikës së Kosovës duke e marr parasysh që prioritet që secila qeveria në botë e ka pandeminë  dhe ne jemi një komunitet që duhet të trajtohemi si prioritet ja sot, ja kurrë. Duke marr parasysh që komuniteti infermieror është vija e parë e frontit, ku takohet i pari dhe i fundit me pacientin. Prej një ndërrimi të natës i cili është 12 orë, 11 orë është pranë pacientit duke ia dhënë ndihmën…” tha Havolli.

“Kërkesa jonë e drejtë dhe direkte ka qenë që nga 18 euro të bëhet 36 euro. Nuk kemi kërkuar rritje të pagave sepse duke iu falënderua këtij organizimi sindikal dhe profesional ata e kalkulojnë edhe gjendjen ekonomike edhe aspektin buxhetor të Kosovës nuk do merremi tani me rritje dhe paga”, shtoi ai.

Në mënyrë simbolike 18 infermierë që ishin pjesë e kësaj proteste i dorëzuan mantelet e bardha, të cilat i ofruan për kabinetin qeveritar për të mbajtur një ndërrim të natës.