Kosovë

Tetë orë para prokurorëve për luftën e UÇK-së, përfundon intervistimi për Ali Ahmetin

Përditësimi i fundit: 02/09/2020 - 18:24
Text size Aa Aa

Kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, ka përfunduar pas tetë orësh intervistimin nga prokurorët e specializuar në Kosovë në lidhje me luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Në ndërtesën e EULEX, e cila shfrytëzohet si dhomë për të intervistuar ata që ftohen nga specialja dhe që nuk mund të udhëtojnë për në Hagë, Ahmeti hyri në 09:30 të mëngjesit dhe doli në 17:30 të pasdites.

Korrespondentja e Euronews Albania nga Kosova, Erjonë Popova raporton se intervistimi i tij pritet të vijojë ditën e nesërme, gjatë orëve të para të mëngjesit.

Udhëheqësi i BDI-së, Ali  Ahmeti është një nga themeluesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) dhe ish-anëtar i Shtabit të Përgjithshëm, por ndaj tij nuk ka pasur akuza konkrete.

Lideri i BDI-së, Ali Ahmeti lindi më 4 janar 1959 në fshatin Zajaz të Kërçovës në Maqedoni të Veriut dhe u shkollua në Prishtinë për filozofi. Në fillim të viteve ’80 u përfshi në protestat studentore, të cilat shfaqën asokohe hapur kundërshtitë ndaj politikave jugosllave kundër popullsisë shqiptare në Kosovë. Për aktivitetin e tij politik u arrestua dhe dënua me 1 vit burg.

Në fillim të viteve ’90 ishte ndër kryesorët që themeluan dhe ngritën më tej UÇK-në si formacion ushtarak, të cilin në vitin 2000, pas çlirimit të Kosovës, ai së bashku me udhëheqës të tjerë, e ristrukturuan në “Ushtria Çlirimtare Kombëtare” duke e shtrirë veprimtarinë e saj tashmë në Maqedoninë e Veriut.

Lexoni gjithashtu:

Ali Ahmeti dëshmon në Gjykatën Speciale