Kosovë

Policia e Kosovës në protestë nëse qeveria nuk u paguan nga 300 euro më shumë, për shërbim në kohë pandemie

Përditësimi i fundit: 15/09/2020 - 07:30
Text size Aa Aa

Policia e Kosovës së shpejti mund të hidhet në protestë, nëse qeveria nuk vendos që t’u paguajë nga 300 euro më shumë në muaj për shërbim gjatë pandemisë. Paralajmërimi vjen nga Sindikata e Pavarur e Policisë.

“Po ne veç keni paralajmëruar, i kemi dhënë afat qeverisë që deri me 15 të këtij muaji (shtator), t’i përfshijnë kërkesat që i kemi paraparë ne.

Nëse nuk ka përgjigje qeveria deri me datë 15 shtator, ne me 16 shtator do ta mbajmë një takim, Këshilli i Përgjithshëm dhe do të vendosim për hapin e protestës”, shprehet Shaban Tasholli, nënkryetar i Sindikatës së Policisë

Qeveria e drejtuar nga ish-kryeministri Albin Kurti, kishte vendosur që gjatë pandemisë, për shkak të shërbimit më të gjatë në detyrë, krahas stafit mjekësor, në pakon e pagesës shtesë, ta përfshijë edhe policinë. Ndërkohë, Qeveria Hoti e ka shfuqizuar këtë vendim, që sipas drejtuesve të Sindikatës është bërë pa ndonjë shpjegim.

 “Nuk kemi asnjë përgjigje nga askush se përse nuk paguhen. Ne në fillim i kemi marrë për dy muaj, në Qeverinë Kurti, ndërsa në qeverinë e tanishme janë ndaluar ato dhe nuk kemi asnjë përgjigje nga askush përse nuk paguhen”, thotë z. Tasholli.

Arsyen përse policia është hequr nga pakoja e pagesës shtesë për shërbim gjatë pandemisë, Euronews Albania e kërkoi edhe në Ministrinë e Punëve të Brendshme.

Pavarësisht se nga kabineti i ministrit të Brendshëm, Agim Veliu, e konfirmuan marrjen e kërkesës për deklarim, as pas tri ditësh pritjeje, nuk pranuan të deklarohen për këtë çështje.

Policia e Kosovës është themeluar me 6 shtator të vitit 1999, duke shënuar tashmë 21-vjetorin e ekzistencës së saj. Fillimisht ajo numëronte 176 pjesëtarë, kurse aktualisht në këtë institucion, shërbejnë rreth 7 mijë veta, prej të cilëve rreth 5 mijë janë anëtarë të Sindikatës së Pavarur. Gjatë dy dekadave, në krye të detyrës kanë rënë 21 policë.

Tregime të lidhura