Kosovë

Bashkësia e komunave serbe, analisti: ‘Pazari përfundimtar’ në këmbim të njohjes së Kosovës

Përditësimi i fundit: 16/09/2020 - 12:49
Text size Aa Aa

Nexhmedin Spahiu, analist politik në Kosovë, tha për Euronews Albania se qëndrimi që duhet të mbajë Kosova rreth çështjes së asosacionit të komunave serbe duhet të konsiderohet si ‘pazari përfundimtar’ për njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë.

“Kur të vijë puna e pazarit përfundimtar për njohje të Kosovës, ajo të detyrohet të japë territor”,- theksoi ai.

Sipas tij, Kosova ka bërë mjaftueshëm kompromise, duke filluar nga krijimi i pakicave me shumicë serbe në Kosovë apo edhe mbrojtja e kishave dhe manastireve serbe.

“Nuk është se shqiptarët në Kosovë kanë qenë kundër që serbët të kenë të drejta, por kjo kushton. Kosovës i kushton që t’i mirëmbajë këto komuna”, - u shpreh z. Spahiu.

Analisti e konsideroi asosacionin që mund t’u jepet komunave serbe një term shumë të gjerë, duke marrë parasysh që nëse vëllimi i kompetencave të këtij asosacioni do të jetë i madh, funksionimi i shtetit të Kosovës mund të dëmtohet.

I pyetur për qëndrimin e tij rreth pranimit të asosacionit nga kryeministri Hoti, ai tha se në marrëveshjen e nënshkruar nga ish-kryeministri Mustafa për këtë çështje duhet marrë miratimi i Gjykatës Kushtetuese, që Avdullah Hoti nuk e ka dhe kësisoj nuk mund ta pranojë asosacionin.

“Kjo duhet të diskutohet nga fillimi. Nuk mund të futet në fuqi një marrëveshje që e ka bërë vetveten të pavlefshme”, - tha z. Spahiu, teksa theksoi se meqë premtimi u dha, Kosova duhet ta pranojë asosacionin vetëm në këmbim të njohjes.

 

Lexoni gjithashtu : 

Asosacioni i komunave serbe, Thaçi: Dialogu i së enjtes në Bruksel, kthim prapa për Kosovën

Vetëvendosja: Votimi i serbëve të Kosovës, cenim i sovranitetit

Bisedimet Kosovë-Serbi, Agon Maliqi: Pala kosovare më e qetë, dialogu mund të nxisë zotimin për njohje të pavarësisë

Tregime të lidhura