Kosovë

Dialogu Kosovë-Serbi vijon në nivel teknik nesër për pretendimet financiare

Përditësimi i fundit: 16/09/2020 - 16:25
Text size Aa Aa

I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, ka deklaruar sot se krerët e dy vendeve, presidenti serb, Alexandar Vuçiç, dhe kryeministri kosovar, Avdullah Hoti, kanë rënë dakord të diskutojnë nën ndërmjetësimin e BE-së pretendimet financiare, rastet kur dy palë pretendojnë të drejta dëmshpërblimi për të njëjtën pronë. Çështje kjo mjaft delikate e mbetur e pazgjidhur në marrëdhëniet mes dy vendeve.

Lajçak thotë se diskutimet për këtë pjesë do të bëhen në nivel teknik me përfaqësuesit Skënder Hyseni dhe Marko Gjuriç ditën e nesërme.

“Presidenti Vuçiç dhe kryeministri Hoti kanë rënë darkord që negociatorët e tyre të vazhdojnë diskutimin për pretendimet e përbashkëta financiare si dhe rregullimet e komuniteteve që nuk janë shumicë”, shkruan Lajçak në Twitter.

“Të dyja janë çështje shumë të ndërlikuara, prandaj dhe do t’i diskutojmë nesër pretendimet financiare, ndërsa çështjen e pakicave do ta lëmë për ta diskutuar në ditët e ardhshme”, shton i dërguari i posaçëm i BE-së.