Kosovë

Përplasja Thaçi-Hoti për komunat serbe, politologu Beqiri: Presidenti po kritikon vetveten

Përditësimi i fundit: 16/09/2020 - 16:52
Text size Aa Aa

Mes presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministrit, Avdullah Hoti ka pasur një përplasje për çështjen e bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Thaçi thotë se, hapja e kësaj teme në Bruksel është “gabim i madh”, ndërsa Hoti e mohon të jetë diskutuar krijimi i asociacionit të komunave me shumicë serbe me kompetenca ekzekutive.

Politologu Shkumbin Beqiri thotë se, ai është përgjegjësi kryesor i kësaj çështjeje pasi ai ka firmosur marrëveshjen në Bruksel në vitin 2013 dhe tani po kërkon të “ndreqë gabimin”.

“Nga ana e Thaçit është më shumë një manovër për protagonist politik se sa për ndonjë gjë konkrete. Asociacionit i është krijuar terreni për marrëveshje pikërisht nga Thaçi në vitin 2013 me marrëveshjen e parimeve. Ai po demanton (përgënjeshtron) vetveten apo tendencë me korrigju gabimin e vet se sa me prodhur një ide të re për ne apo për palën serbe”, tha z. Beqiri.

Z. Beqiri theksoi më tej se,  asociacioni sjellë defnksionalizimin e Kosovës dhe mund të përdoret nga Serbia si mjet shantazhi në të ardhmen dhe shton se njohja e pavarësisë nuk duhet të ketë këtë kosto.

Politologu vlerëson marrëveshjen e arritur më 4 shtator në Shtëpinë e Bardhë duke theksuar se aty nuk flitet për komunat serbe dhe gjithashtu nuk është përfshi as çështja e uzinës së Trepçës.

“Pavarësisht se është marrëveshje ekonomike nuk flet për Trepçën, një çështje mjaft e diskutuar dhe jo aq zyrtarisht ku Serbia kërkon të ketë të drejtë për të qeveris atë ndërmarrje”, shton ai.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është parashikuar në marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më tutje, detajet konkrete janë harmonizuar me parimet/elementet e përgjithshme nga marrëveshja e vitit 2015.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës. Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.

 

Lexoni gjithashtu:

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës përplasen për çështjen e asociacionit

Dialogu Kosovë-Serbi, Vuçiç dhe Hoti do të diskutojnë nesër pretendimet financiare