Kosovë

Presidenti dhe kryeministri i Kosovës përplasen për çështjen e asociacionit

Përditësimi i fundit: 16/09/2020 - 14:29
Text size Aa Aa

Një ditë më herët, Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka thënë se rihapja temës së Asociacionit të komunave me shumicë serbe në dialogun, që zhvillohet mes Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, është kthim prapa për Kosovën.

Thaçi ka thënë se takimi i së enjtes është i rrezikshëm dhe, siç është shprehur ai, është agjendë e Serbisë.

“Rihapja e çështjes së Asociacionit përsëri në Bruksel, pas një dekade, është rikthim prapa për Kosovën. Është goditje ndaj shtetësisë së Kosovës dhe cenim i sovranitetit e me rrezik për krijimin e 'Republikës Serbe në Kosovë'. Për diçka të tillë mendoj se parlamenti i Kosovës duhet të jetë shumë i vëmendshëm. Këtë të drejtë nuk e ka askush që të ulet të diskutojë as të negociojë e lëre të pretendojë të arrijë ndonjë marrëveshje të re për Asociacionin", ka thënë Thaçi.

Por, deklaratën e Presidentit nuk e ka komentuar Kryeministri i Kosovës, Avdullah Hoti, duke shtuar se nuk merret me deklarime të tilla dhe e konsideron humbje kohe.

“Nuk diskutohet dhe nuk hapet marrëveshja e arritur me herët për Asociacionin", tha Hoti gjatë një debati të organizuar nga Instituti Demokratik i Kosovës, për dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

Hoti ka shtuar se në takimin e nesërm në nivel ekspertësh nuk do të diskutohet asociacioni.

“Nesër nuk diskutohet për Asociacionin dhe nesër nuk është ditë e rrezikshme për Kosovën. Nesër është një ditë e zakonshme ku kryeministri i vendit raporton para deputetëve të Kuvendit të Kosovës”, theksoi Hoti.

Formimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është paraparë me marrëveshjen e parë të Brukselit të vitit 2013, të arritur në dialogun Kosovë-Serbi. Më tutje, detajet konkrete janë harmonizuar me parimet/elementet e përgjithshme nga marrëveshja e vitit 2015.

Gjykata Kushtetuese, në vendimin e nxjerrë në dhjetor të vitit 2015, tha se Marrëveshja për Asociacionin në 23 pika të saj, nuk është në harmoni me Kushtetutën e Kosovës.

Gjykata Kushtetuese kishte konstatuar që akti juridik i Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe statuti që implementon parimet, për të qenë në pajtueshmëri me frymën e Kushtetutës, duhet të plotësojë standardet kushtetuese.