Kosovë

Kryeministri Hoti pret të hënën delegacionin amerikan, mes tyre dhe Richard Grenell

Përditësimi i fundit: 20/09/2020 - 18:29
Text size Aa Aa

Kryeministri Avdulla Hoti do të presë ditën e hënë, ora 10:00, delegacionin e posaçëm të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për nxitjen e bashkëpunimit dhe zhvillimit ekonomik në rajon.

Hoti do të presë kryesuesin e delegacionit, Adam Boehler, i cili është njëherësh edhe drejtues i Korporatës Financiare Ndërkombëtare për Zhvillim (DFC) si dhe ambasadorin Richard Grenell, ky njëherësh edhe i dërguar i Presidentit Donald Trump për ndërmjetësimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Pjesë e delegacionit do të jetë edhe kryetari i Bankës së Eksport-Importit të Shteteve të Bashkuara (EXIM), si dhe zyrtarë të tjerë të departamentit të Energjisë dhe Tregtisë së SHBA-së.

Disa orë më vonë Kryeministri Avdullah Hoti e konfirmoi takimin përmes një postimi në Twitter.

Ai tha se do të priste me kënaqësi ambasadorin Grenell, drejtuesin e DFC-së Adam Boehler, duke nënvizuar se kjo do të vinte si rrjedhojë e zhvillimeve nga Shtëpia e Bardhë për “normalizimin ekonomik” dakordësuar në Shtetet e Bashkuara.

 Edhe Grenell komentoi në Twitter pak pas Hotit duke konfirmuar vizitën. Ai theksoi se "prioritet" për administratën Trump mbetet "implementimi i marrëveshjes" arritur mes Kosovës dhe Serbisë.

Vizita e delegacionit amerikan vjen pas marrëveshjes së 4 shtatorit arritur mes Prishtinës dhe Beogradit si dhe marrëveshjeve të tjera që ka arritur Izraeli me vende si Emiratet e Bashkuara Arabe dhe Bahrejni.

Në politikën e brendshme, marrëveshja i ka sjellë qeverisë së kryesuar nga Hoti mjaft kontestime sidomos nga ana e opozitës.

 

Lexoni gjithashtu:

SHBA nis delegacion për të nxitur bashkëpunimin ekonomik në Kosovë, Serbi, Greqi dhe Izrael

Tregime të lidhura