Kosovë

Dialogu Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak: Nuk ka marrëveshje pa asociacionin

Përditësimi i fundit: 15/10/2020 - 14:56
Text size Aa Aa

Pasi përfundoi vizitën tre ditore në Prishtinë, i dërguari i Bashkimit Europian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak doli para mediave. Kryetema e konferencës ishte asociacioni dhe emisari europian tha se nuk ka marrëveshje mes palëve pa mbylljen e kësaj teme.

Ai tha se zbatimi i Marrëveshjes për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe nga ana e Kosovës duhet të bëhet menjëherë pas arritjes së marrëveshjes përfundimtare me Serbinë. Mirëpo, para se të ndodhë kjo, Lajçak tha se institucionet e Kosovës duhet të fillojnë diskutimin për statutin e asociacionit.

Në pyetjen e Euronews Albania nëse ky asociacion duhet të formohet konform marrëveshjeve të nënshkruara më herët në Bruksel dhe aktvendimit të Gjykatës Kushtetuese në Kosovë, apo Bashkimi Europian po kërkon që kjo temë të rinegociohet, Lajcak shpjegoi se çfarë pret BE.

“T’ju shpjegoj se marrëveshja për Asociacionin është arritur në Bruksel në vitin 2013 dhe pastaj më 2015, por nuk është implementuar. Është edhe një vendim i Gjykatës Kushtetuese, por ky vendim asnjëherë nuk thotë që asociacioni nuk duhet themeluar. Gjëja tjetër është të diskutojmë mbi statutin dhe kjo është ajo që ne presim. Asociacioni është pjesë e marrëveshjes gjithëpërfshirëse. Marrëveshja do të fillojë të zbatohet pas nënshkrimit. Pra, kjo do të thotë që zbatimi i marrëveshjes së Asociacionit, do të pasojë nënshkrimin e marrëveshjes. Por, detajet e Asociacionit duhet të dakordohen si pjesë e negociatave, sepse nuk duhet të mungojë qartësia e ndonjë çështjeje në momentin e nënshkrimit”, tha ai.

Diplomati sllovak i bëri të qartë Prishtinës së nuk do të ketë marrëveshje gjithëpërfshirëse pa asociacion.

“Nuk do të ketë marrëveshje pa asociacion. Kosova ka bërë këtë marrëveshje dhe kuvendi e ka ratifikuar dhe Kosova duhet ta implementoj këtë marrëveshje. Është pjesë e procesit, pjesë e negocimit dhe pjesë e dialogut. Kështu që kur politikanët thonë se kjo është e mbyllur dmth që nuk duan ta rihapin përmbajtjen dhe ne nuk po e kërkojmë këtë. Por kërkojmë të implementohet ajo që është nënshkruar”, shtoi ai.

I pyetur se pse BE-ja nuk flet për njohjen reciproke, por përdor termin normalizim marrëdhëniesh mes dy vendeve, ai tha se puna e tij nuk është të përkufizoj këto fjalë.

“Ne po negociojmë normalizimin e marrëdhënieve Kosovë-Serbi, mandati im thotë normalizim dhe nuk më takon mua ta përkufizoj se çfarë do të thotë normalizim”.

Sa i përket formimit të asociacionit, Lajcak ta se në gjithë takimet që ka pasur në Prishtinë, asnjëri nga liderët nuk i ka thënë që ka problem në mos-zbatimin e kësaj marrëveshje.

“Kompromisi është ky: Nëse dua të marr, duhet të jem i gatshëm të jap. Këto janë negociata shumë të vështira dhe palët duhet të jenë gati të japin që të marrin”.

Lajcak gjatë këtyre ditëve ka bërë 25 takime, duke përfshirë këtu të gjithë liderët institucional, liderët e partive politike të përfaqësuara në Kuvendin e Kosovës, shoqërinë civile, ambasadorë dhe figura tjera në Kosovë. Kjo është vizita e dytë e emisarit europian në Kosovë dhe pas Prishtinës, ai viziton Beogradin.