Kosovë

Ndryshon harta epidemiologjike, 18 komuna në Kosovë hyjnë në “zonë të kuqe”

Përditësimi i fundit: 20/11/2020 - 21:03
Text size Aa Aa

Rritja e të infektuarve me Covid-19 ka detyruar autoritetet kosovare të vendosin masa të reja kufizuese.

Ministria e Shëndetësisë thotë se duke nisur nga dita e sotme hyjnë në fuqi masat e reja për komunat e Kosovës, të ndara sipas numrit të infektuarve për 100 mijë banorë.

Në Kosovë 18 komuna janë cilësuar si “zonë e kuqe” pasi numri të infektuarve me Covid-19 për 100 mijë banorë ka shkuar mbi 151 në javë.

Në komunat e cilësuara me rrezikshmëri të lartë nuk lejohet lëvizja e qytetarëve jashtë shtëpive pas orës 19:00 e deri në orën 05:00, përveç nevojave emergjente shëndetësore, duke përjashtuar nga kjo masë personelin shëndetësor, të sigurisë dhe atë të drejtësisë.

Po ashtu, ndalohen hyrje-daljet e qytetarëve dhe automjeteve në territorin e komunës përkatëse nga ora 19:00 deri në orën 05:00.

 

Në këtë zonë janë 18 komuna: Prishtina, Fushë-Kosova, Gjilani, Obiliqi, Gjakova, Shtimja, Podujeva, Peja, Ferizaj, Mitrovica e Jugut, Vushtrria, Lipjani, Vitia, Zveçani, Leposaviqi, Zubin Potoku, Mitrovica e Veriut dhe Kamenica.

Kurse në “zonën e verdhë” bëjnë pjesë komunat me rrezik të mesëm, apo komunat prej 76 deri në 150 të infektuar në 100.000 banorë brenda javës.

Brenda kësaj zone janë 14 komuna: Prizreni, Klina, Deçani, Drenasi, Malishevë, Suhareka, Novobërda, Graçanica, Ranillugu, Parteshi, Kaçaniku, Kllokoti, Rahoveci dhe Skenderaj.

Gjithashtu, në “zonën e gjelbër” bëjnë pjesë komunat me rrezik të ulët apo komunat prej 1 deri në 75 të infektuar për 100 mijë banorë në një javë.

Tek zona e "gjelbër" janë 6 komuna: Mamusha, Dragashi, Shtërpca, Juniku, Istogu dhe Hani i Elezit.

Gjatë 24 orëve të fundit në Kosovë janë kryer 1930 teste të dyshuara për Covid-19, ndërsa 855 prej tyre kanë rezultuar pozitivë. Lajmi u konfirmua nga Instituti i Shëndetit Publik, i cili raportoi se pavarësisht përpjekjeve të mjekëve, 11 pacientë të prekur me coronavirus kanë humbur jetën. Kështu, në Kosovë që nga fillimi i pandemisë janë regjistruar 885 humbje jete nga Covid-19.