Kosovë

Kërkesa e Vuçiçit për të vizituar Kosovën, Kreshnik Gashi: Tipike për efekt elektoral në Mitrovicë

Përditësimi i fundit: 21/11/2020 - 21:16
Text size Aa Aa

Analisti Kreshnik Gashi komentoi për Euronews Albania kërkesën e presidentit serb Aleksandar Vuçiç për të vizituar sot Kosovën.

Gashi tha se kërkesa u bë në një kohë kur javën e ardhshme pritet të mbahen zgjedhjet lokale në veri të Mitrovicës dhe se ai përmes kësaj vizite synon të ndikojë në elektorat për të dominuar tërësisht pushtetin lokal atje.

“Përmes ngritjes së ndjenjës së rrezikut për serbët që jetojnë në Kosovë, Vuçiç po përpiqet që ta rivë në vëmendje rolin e partisë që ai mbështet në Kosovë, pra Listën Serbe dhe në këtë formë të mbysë opozitën, e cila po përpiqet që të themelohet edhe në lokalitetet mes serbëve lokalë,” – u shpreh Gashi.

Deri më sot zonat me vendbanime serbe në Kosovë janë përfaqësuar kryesisht nga Lista Serbe, e cila sipas Gashit është “një satelit” e partisë Progresive Serbe të Vuçiçit.

“Serbët lokalë jetojnë pothuajse pa pasur opozitë në komunat që Lista Serbe udhëheq, të dielën ka zgjedhje në Mitrovicën veriore dhe kjo fazë zakonisht shfrytëzohet për të promovuar sa më tepër Listën Serbe pasi përballë ka edhe kandidatë të tjerë nga parti serbe,” – tha Gashi.

Ngjashëm si në Mitrovicën e Veriut do të ketë zgjedhje një javë më pas edhe për njësitë e qeverisjes lokale në Podujevë dhe Gashi është i mendimit se edhe ndalesa e Vuçiçit nga qeveria e Kosovës është instrumentalizuar politikisht për efekt elektoral në këto zgjedhje të kësaj krahine.

“Pengimi i presidentit serb nga ana e politikës së Kosovës interpretohet si forcë, si fitore, dhe tutje në rast se edhe në zgjedhjet e fundjavës tjetër do të interpretohet si veprim i guximshëm nga ministrat e Jashtëm dhe të Brendshëm, [mund të ketë efekt në elektorat],” – komentoi më tej Gashi.

Gjatë analizës së tij Gashi u shpreh se Vuçiçit i interesojnë tensionet etnike në Kosovë në mënyrë që të mbajë pushtetin në lokalitetet serbe.

 

Lexoni gjithashtu:

''Ofendim dhe provokim'' ministria e Jashtme refuzon kërkesën e presidentit serb Vuçiç për të vizituar Kosovën

 

Tregime të lidhura