Kosovë

Avdullah Hoti flet ashpër: Kundërshtarët e LDK-së janë kundërshtarë të Kosovës

Përditësimi i fundit: 13/01/2021 - 18:44
Text size Aa Aa

Fushata për zgjedhjet e 14 shkurtit do të jetë shumë e ashpër pasi kundërshtarët politikë të LDK-së nuk janë vetëm rivalë politikë, por janë kundërshtarë të shtetit të Kosovës dhe të çdo gjëje që është arritur tani e 20 vite në Kosovë.

Këtë deklaratë kreu i Lidhjes Demokratike të Kosovës e bëri gjatë një takimi me strukturat e kësaj partie në qytetin e Mitrovicës.

“Gara do të jetë e vështirë. Unë jam i vendosur që bashkë me të gjithë personat që do të jenë në listë për deputetë, që garën ta bëjmë fuqishëm dhe do të luajmë rëndë siç thuhet, jo me veprime tjera përveç duke qenë të prerë dhe të drejtpërdrejtë se kush janë këta njerëz dhe kush jemi ne”, tha Hoti. 

Sipas një komunikatë të lëshuar nga LDK-ja, Hoti  u shpreh se në Kosovë prej vitesh po bëhet propagandë e egër ndaj LDK-së dhe ndaj të arriturave të saj.

“Në Kosovë është bërë fushatë disavjeçare e shpëlarjes së trurit, duke ndërtuar kauza të rrejshme, duke ndërtuar teori konspirative me thika e me harta e me gjëra të pavërteta. 

Ai foli edhe për kulturën politike të LDK-së, e cila sipas Hotit është keqpërdorur nga disa njerëz të partisë.

“Duke qenë strikt në respektimin e kulturës së LDK-së kemi krijuar njerëz, që nuk meritojnë farë vëmendje publike e as prezencë në jetën shoqërore e institucionale të vendit. Kemi ardhur deri në situatën, që debatet nëpër televizione nuk mund t’i përcjellësh kur je bashkë me familje. Fatkeqësisht ata njerëz tentojnë të marrin përgjegjësi shtetërore e institucionale. Është obligim i ynë i të gjithëve në shtetin e Kosovës, që të parandalojmë rrëshqitjen e shtetit të Kosovës në drejtim të gabuar, pasi për këta 7 muaj mezi kemi arritur që ta kthejmë Kosovën në kursin e duhur perëndimor dhe të parandalojmë rrëshqitjen drejt lindjes”, tha Hoti.

Për këto arsye, Hoti, kërkoi mobilizimin më të madh të elektoratit të LDK-së për zgjedhjet e 14 shkurtit. Më herët gjatë ditës kandidati i LDK-së për kryeministër takoi edhe strukturat partiake në Skenderaj.