Kosovë

“Ftohje mes Osmanit dhe Kurtit”, analisti Ismajli parashikon shkrirje në listën e VV-së

Përditësimi i fundit: 13/01/2021 - 16:56
Text size Aa Aa

Analisti Faton Ismajli e cilëson vizitën e Vjosa Osmanit në Bruksel si një "vizitë normale" por thekson se ajo po i përdor këto takime për fushatë për zgjedhjet e 14 shkurtit.

“Kosovës i ka munguar një udhëheqës normal shteti që shkon në një vizitë pa pasur ndonjë ngarkesë dhe pa qenë e shantazhuar siç kanë qenë më herët drejtuesit e shtetit të Kosovës”, shprehet ai.

Z. Ismajli tha se ende nuk është e qartë se si do të paraqitet Osmani në zgjedhje ndërsa foli dhe për një krisje të marrëdhënieve mes saj dhe kreut të VV-së, Albin Kurti pasi ky i fundit mesa duket nuk ka pranuar që të bëjë koalicion parazgjedhor. Mospërfillja e kërkesave të presidentes në detyrë sipas z. Ismajli vjen për shkak se VV ka një pozitë mjaft të mirë në këto zgjedhje.

“Raportet mes znj. Osmani dhe z. Kurti duket se janë ftohur paksa për shkak se z. Kurti nuk po flet më znj. Osmani si një partnere por si një vartëse të tij. Z. Kurti nuk pranoi që të bënte koalicion parazgjedhor me iniciativën e znj. Osmani pasi dëshiron që ajo të shkrihet në listën zgjedhore të VV-së”, tha ai.

Ushtruesja e detyrës së Presidentes së Kosovës, Vjosa Osmani, në ditën e dytë të vizitës zyrtare në Bruksel, u prit në Parlamentin e Belgjikës. Ajo takoi këtë të mërkurë, Presidenten e Senatit, Stephanie D'Hose dhe Kryetaren e Dhomës së Përfaqësuesve, Éliane Telje, diskutuan për procese të ndryshme strategjike, liberalizimin e vizave, e tema të tjera.

Osmani gjithashtu pati takim me Grupin e miqësisë, BE-Kosovë, që përbëhet nga deputetë të Parlamentit Evropian, të cilët i ka falënderuar për angazhimin e madh për Kosovën. Këto takime, pasojnë atë të një dite më parë  të Osmanit me Komisionerin për Fqinjësi dhe Zgjerim, Oliver Varhelyi.

 

Lexoni gjithashtu:

2021-shi, viti i zgjedhjeve në Kosovë, Qytetarët do t’i drejtohen kutive edhe për zgjedhjet vendore në tetor